Shqipëria luajti mbrëmjen e kaluar një ndeshje miqësore ndaj Italisë, ku pësuan një humbje me rezultatin 1-3. Pjesë e kuqezinjve për këtë miqësore ishte edhe kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.

Ky i fundit, pasi shkëlqeu në dy miqësoret e mëparshme me Arabinë Saudite dhe Katarin, fitoi besimin e trajnerit Edoardo Reja për ta grumbulluar edhe për dy miqësoret e tjera me Italinë dhe Armeninë.

Në miqësoren ndaj “axurrëve”, që Shqipëria u mund me rezultatin 1-3, kapiteni i Vllaznisë, Gurishta, nuk u aktivizua për asnjë minutë nga trajneri i kuqezinjve, Reja. Ndërkohë, në ndeshjen e rradhës miqësore, atë të së shtunës ndaj Armenisë, Gurishta pritet të jetë në planet kryesore të trajnerit Reja, pse jo për ta nisur edhe nga minuta e parë në formacionin e Shqipërisë.

Edhe pas ndeshjes ndaj Italisë, në prononcimin e tij për shtyp, vetë tekniku italian e pranoi se në përballjen miqësore ndaj Armenisë, mund të ketë më tepër hapësira për ata që nuk u aktivizuan mbrëmjen e kaluar ndaj “axurrëve” dhe një ndër ata është edhe kapiteni i Vllaznisë.

Realisht, përfshirja e Erdenis Gurishtës në grumbullimin me Kombëtaren në dy miqësoret me Italinë dhe Armeninë, padyshim që ishte një lajm fantastik jo vetëm për kapitenin e Vllaznisë, por edhe për të gjithë tifozërinë shkodrane.
Maringlen ZHIVANI