Sezoni nuk ka përfunduar ende, por përgatitjet për atë të ardhshmin kanë nisur dhe padyshim që shumë nga rezultatet do të varen nga merkatoja. Në këtë drejtim po lëvizin edhe drejtuesit e Interit dhe ata të Barcelonës që pas takimit të marsit, kanë pasur ditën e djeshme një tjetër mbledhje mes tyre.

Drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Auzilio, ka udhëtuar drejt Spanjës, ku ka takuar homologun e tij katalanas, Mateu Alemani, dhe po ashtu agjentin Eduardo Crnjar. Takimi me këtë të fundit në fakt ka ngjallur jo pak kuriozitet, duke pasur parasysh emrat që përfaqëson.

Menaxheri kuron interesat e Ronald Arauhos, mbrojtësit të Barçës, që është një objektiv në kufijtë e së pamundurës për Interin, duke pasur parasysh vlerësimin e Ksavit për 24-vjeçarin dhe vlerën e tij prej rreth 70 milionë eurosh.

Më interesant është fakti që Crnjar është agjenti i Roberto de Zerbit, trajnerit aktual të Brajtonit që prej kohësh lakohet si pasardhësi i Inzagit dhe probabiliteti më i madh është që tema e diskutimit të ketë qenë pikërisht 43-vjeçari.

EMRAT – Nga ana tjetër, një sërë emrash kanë qenë në tryezën e bisedimeve mes dy drejtorëve sportivë. Ideja që qarkullon prej kohësh, ajo për një shkëmbim të mundshëm mes mesfushorëve Frenk Kesi dhe Marselo Brozoviç, ka qenë edhe një herë tjetër një nga pikat kryesore të bisedimeve, me tratativën që pas fazës së bisedimeve, pritet të nisë së shpejti.

Në listën e katalanasve ka përfunduar edhe Denzel Dumfris, me Alemanin që ka kërkuar informacione për holandezin, i cili mbulon korsinë e djathtë, ndërkohë që kanë qenë të shumtë lojtarët “blaugranë”, që kanë ngjallur interesin e zikaltërve.

Sipas “Sky Sport”, mbrojtësi i majtë, Markos Alonso, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme, ka qenë një nga pikat e diskutimeve.

Por përveç 32-vjeçarit spanjoll, Auzilio po monitoron edhe situatën e Andrea Kristensenit, qendërmbrojtësit që është i lidhur me Barçën deri në 2026-ën. Danezi vlerësohet me rreth 30 milionë euro dhe duke pasur parasysh situatën emergjente në prapavijë të Interit, nuk përjashtohet që zikaltrit të investojnë një shumë të tillë për një 27-vjeçar.

Një tjetër profil interesant është ai i Ferran Torresit, sulmuesit që mund të detyrohet të lërë Barcelonën për t’i liruar vendin dhe hapësirën financiare një mbërritjeje të mundshme të Mesit dhe që në Milano do të zëvendësonte Korrean.