Shqipëria mësoi para disa ditësh grupin kualifikues për Botërorin Katar 2022. Një short aspak i lehtë për kuqezinjtë të cilët janë vendosur përballë kombëtareve si Anglia, Polonia e Hungaria, ndërsa Andorra dhe San Marino janë lehtësisht të kalueshme.

Por, teksa kombëtaret janë duke mësuar informacione për njëra-tjetrën pasi fushata eliminatore fillon në muajin mars, ish-trajneri Xhani De Biazi, ia ka “servirur në pjatë të argjendtë” polakëve Shqipërinë.

Në një intervistë për mediat polake, të cilët kanë pyetur italianin për të njohur më shumë kundërshtarin e tyre në Grupin I, De Biazi thekson se lojtari më i rrezikshëm është Sokol Cikalleshi, ndërsa shprehet se për të mundur Shqipërinë, Polonisë do t’i mjaftojë t’ia pasojë Levandovskit.

“Shqipëria është një ekip i mirë. Shumë nga futbollistët e Shqipërisë luajnë në Itali dhe kanë fituar eksperiencë ndërkombëtare shumë të vlefshme. Kur unë isha trajneri, ishte pak ndryshe. Mendoj se Shqipëria nuk është një rival i lehtë. Sigurisht, Polonia është më e mirë dhe nuk duhet të ketë probleme, por kundër Shqipërisë duhet të luash me intensitet të lartë dhe me përqëndrim”.

-Kush është lojtari më i rrezikshëm te Shqipëria?

Cikalleshi është më i rrezikshëm para portës. Në dy ndeshjet e fundit ai ka shënuar tre gola dhe është një futbollist për t’u pasur frikë. Por, ka edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë, si përshembull Hysaj i Napolit.


-Si do ta përshkruaje stilin e lojës së Shqipërisë?

Në kohën time përgatiteshim shumë për goditjet e lira, sepse nuk kishim një “snajper” të vërtetë, na mungonte dikush si Levandovski. Por, tani janë më mirë. Shqipëria luan futboll me presion të lartë dhe mbështetet te kundërsulmet.


-Kush është mënyra për t’i shënuar Shqipërisë?

(Qesh) Pasojani topin Levandovskit, ai do të përkujdeset për pjesën tjetër. /VipSport/