Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka bërë një thirrje të hapur dje për rikthimin e tifozëve në stadium. Edhe pse stadiumet vazhdojnë të jenë të mbyllura, kjo nuk i ka penguar ulrasit kuqeblu që të udhëtojnë drejt Ballshit për të mbështetur skuadrën, natyrisht duke ndjekur ndeshjen nga ndërtesat rreth impiantit, jo nga shkallët e stadiumit.

Ademi ka reaguar përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, duke përshëndetur fitoren e radhës dhe bërë një lutje publike drejtuar institucioneve që kanë në dorë rikthimin e tifozëve në stadium. “Nuk ka më mirë se ngjyrat kuqeblu. Edhe një lutje të fundit, tifozët në stadium”, shkruante kryebashkiakja e Shkodrës, e cila i ka qëndruar shumë afër skuadrës gjatë këtij kampionati.

FESTA NË SHKODËR

Goli i Ardit Hoxhajt në limitin e ndeshjes në Ballsh ka sjellë një atmosferë tejet elektrizuese në Shkodër. Ekipi kuqeblu, përtej asaj që ka përjetuar në stadium, ku nuk ka munguar as mbështetja e grupimit “Power 12”, praninë e tifozëve e ka ndierë edhe gjatë udhëtimit në kthim për Shkodër.

Kulmi ka arritur sapo skuadra është futur në hyrje të Shkodrës në mbrëmjen e së mërkurës. Sapo autobusi me ekipin ka hyrë në lagjen e parë të qytetit, është pritur nga një numër i konsiderueshëm makinash, me tifozë që kanë pritur si heronj lojtarët dhe stafin shkodran. Vargu i makinave për çdo kilometra deri tek pika e mbërritjes së ekipit në stadiumin “Loro Boriçi” sa vinte e shtohej.

Nisur nga ky fluks nuk ka munguar as policia, që është vënë në udhëheqje të autokolonës, së bashku me autobusin që mbante lojtarët dhe gjithë stafin kuqeblu. Të parët që kanë mbërritur para derës së stadiumit kanë qenë tifozët, të cilët i bënë skuadrës një pritje me fishekzjarrë dhe brohoritje. “Vllazni kampione, Vllaznia kampione”, “Kush s’kërcen nuk është shkodran” dhe “Urime, ekipi kampion!”, kanë qenë thirrjet e para të tifozërisë shkodrane.

Ndërsa përmes bokseve të fuqishme të një prej kasetofonëve të makinave të tifozëve dhe më pas edhe të autobusit, u vendosën këngët kushtuar Vllaznisë kampione të viteve 1998 dhe 2001, të kënduara nga “Mjeshtri i Madh”, Bujar Qamili.

Dukej sikur ishte një festë për titull, ndërsa ishin mbledhur rreth 1 mijë tifozë, pro në fakt ishte thjesht një gëzim për fitoren dramatike ndaj Bylisit. Kulmi ka arritur kur trajneri Tomas Brdariç është pritur me shumë ovacione dhe më pas ka marrë në dorë situatën, duke bërë edhe ultrasin.

“O Vllaznia Gjermania, të ka zili e tërë Shqipëria”, ishte thirrja elektrizuese që ndezi të pranishmit në atë shesh. Me shumë ovacione e entuziazëm është pritur edhe dalja e “labit”, siç edhe u thirr për shumë minuta autori i golit në Ballsh, Ardit Hoxhaj. Thirrjet në kor “Labi, Labi” pushtuan sheshin para stadiumit, ndërsa sulmuesi përfundoi në krahët e tifozërisë shkodrane.

Gjithçka u mbyll me thirrjen e zakonshme tashmë të mbrojtësit Mevlan Adili. “Kush jemi ne, ku jemi ne”. Përgjigjja e të gjithëve, lojtarë e tifozë, ka qenë e menjëhershme: “Jemi Vllaznia”. Në Shkodër janë bërë gati për titullin e 10-të, edhe pse mbeten për t’u luajtur edhe 21 javë kampionat.