Real Madrid i ka bërë ofertë zyrtare PSG-së për Kilian Mbape dhe tashmë pret vetëm lejen që të nisë bisedimet edhe zyrtarisht me lojtarin francez i cili kërkon të largohet nga parisienët pasi e ndjen se me Mesin në ekip nuk do të ketë më aq shumë vëmendje.

Lajmin e ka dhënë si zakonisht emisioni “El Chiringuito”, i cili ka informacione shumë të besueshme pranë Real Madrid pasi publikon vazhdimisht ekskluzivet më të mëdha të këtij klubi.

“Real Madrid konfirmon se ka bërë një ofertë te PSG për Mbape prej 160 milionë eurosh dhe ka kërkuar leje që të flasë me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij”, shkruante në postimin e fundit në rrjetet sociale ky emision.

Ai ka premtuar se në edicionin e mesnatës, do të publikojë detajet më të hollësishme të kësaj oferte që mund të ndryshojë panoramën e futbollit europian me lëvizje domino të futbollistëve nga një klub në tjetrin.