Lajme të mira për atletikën shkodrane. Në vitin 2012 pista e stadiumit “Loro Boriçi” mund të shtrohet me tartan. Një konfirmim I tillë vjen pas takimit të djeshëm në Bashkinë Shkodër mes dy drejtuesvë më të lartë të këtij institucioni kryetarit Lorenc Luka dhe n/kryetarit Ritvan Troshani si dhe presidentit të FSHA-së, Gjergj Ruli, sekretarit Nikolin Dionisi, anëtarëve të kryesisë Oltion Luli dhe Arben Mlloja si dhe shefit të klubit shumësportësh Vllaznia Gëzim Mema.

Qëllimi I këtij takimi ka qenë diskutimi për mundësinë e shtrimit të pistës së stadiumit “Loro Boriçi” me tartan. Fakti që Federata Botërore e Atletikës dhuron tartanin e bën më të mundshme këtë gjë veçse duhet që Bashkia Shkodër të ndërhyrjë për të rregulluar infrastrukturën që duhet për shtrimin e tartanit. Çka do të thotë se ajo duhet të marrë përsipër kanalizimet dhe shtrimin e pistës me beton. Nga të dy palët duket se është rënë dakord për këtë gjë dhe Bashkia duket se do ta fusë këtë investim në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Edhe anëtari I kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës, ish-kampioni dhe rekordmeni I njohur Oltion Luli, I pranishëm në këtë takim, ka shumë besim se ky projekt këtë herë do realizohet. “Konstatova dashamirësinë tek dy palët për ta bërë këtë investim. Bashkia u shpreh e gatshme për të marrë përsipër pjesën që I takon ndërkohë që jam shumë I bindur se brenda vitit të ardhshëm Shkodra do ketë një pistë tartan. E meriton në fakt sepse ka qenë pionerja e këtij sporti dhe vazhdon të jetë në elitën e këtij sporti në vendin tonë”-ka thënë ai për www.shkodrasport.com.