Vetë ai ka qenë pjesmarrës në Olimpiadën e Sidneit në vitin 2000. Para tij ka qenë edhe një atlete tjetër nga Shkodra, pjesmarrëse në një Olimpiasë, pikërisht vera Bregu. Oltion Luli ndjehet krenar që ka arritur të jetë pjesmarrës në evenimentin më të rëndësishëm të sportit botëror duke realizuar edhe ëndërrën e madhe të tij. Duke folur në lidhje me këtë çështje ai ka thënë: “Për çdo sportist është ëndërr marrja pjesë në një Olimpiadë. Unë kam patur fatin të jem në Sidnei në vitin 2000 dhe sigurisht që kam mbresa shumë të mira. Ka qenë edhe Vera Bregu më parë ndërkohë që sivjet, i kanë të gjitha mundësitë edhe disa sportistë të tjerë nga Shkodra të fitojnë të drejtën për të qenë në Olimpiadën që do zhvillohet në Londër. Sa i takon femrave, thuajse është e përcaktuar sportistja që do shkojë në këtë Olimpiadë ndërsa për meshkuj janë në garë disa sportistë shkodranë dhe 2-3 të rretheve të tjera. Dëshira ime është e madhe që një shkodran të jetë në Londër sepse do ishte vërtetë diçka shumë e bukur”. Duke folur edhe për nderimin e fundit që i ka bërë klubi Vllaznia dhe Federata Shqiptare e Atletikës, Luli do shprehej: “Klubi Vllaznia më dha titullin “Nderi i Sportit Shkodran” ndërsa Federata Shqiptare e Atletikës më akordoi titullin “Nderi i atletikës shqiptare”. Sigurisht që jam ndjerë shumë i vlerësuar për atë kontribut që kam dhënë në vite për këtë sport, për rezultatet që kam arritur në këtë sport dhe kur nderohesh në ceremoni të tilla, natyrisht që ndjehesh i lumtur”. Oltion Luli sot është anëtar i kryesisë së atletikës dhe kuptohet që dëshira e tij e madhe është që ky sport të njohë suksese të reja. Për t’i arritur këto, natyrisht që duhen edhe terrene sportive dhe nëse në Korçë është duke përfunduar pista me tartan, ai dëshiron që një gjë e tillë të realizohet edhe në Shkodër. “Deri tani kemi një marrëveshjes me Federatës së atletikës dhe Bashkisë Shkodër. Shpresoj që bashkëpunimi të ecë në rrugën e duhur dhe brenda vitit 2012 të realizohen të dy projektet, ai i pistës së stadiumit dhe ai i sallës së mbyllur poshtë shkallëve të stadiumit”-ka thënë kampioni dhe rekordmeni i mirënjohur i atletikës Oltion Luli.

www.shkodrasport.com