Një pyetjeje të bërë me stilin tipik të një arbitri pa shumë shkollë…, që në përmbajtje kishte kërkesën për t’u financuar edhe arbitrat nga qeveria me pagën e luftës, Kryeministri i dha një përgjigje interesante, nëse nuk do të ishte përgjigja e një kryeministri…

Ai pak a shumë, u shpreh se arbitrat nuk meritojnë të marrin këtë pagë sepse kishte dëgjuar se ata japin shumë penallti të gabuara… E theksoi e kishte dëgjuar sepse, siç u shpreh vetë, nuk e ndjek futbollin shqiptar(!?).

Ajo që të ngel në mëndje (të paktën që më ngel në mendje mua) nga kjo përgjigje ndaj një pyetje me përmbajtje dhe formulim të gabuar, por edhe nga prononcime të mëparshme, është fakti që Kryeministri i Shqipërisë nuk merret me futbollin shqiptar, megjithëse e afirmon vetë publikisht që problematikat ekzistojnë.

Futbolli është pa dyshim sporti më i organizuar dhe më i suksesshëm në Shqipëri. Edhe për meritë të tij, por edhe për pazotësi të sporteve të tjera, por kjo është temë tjetër.

Por, në të njejtën kohë, krahas këtyre arritjeve, futbolli ka patjetër edhe problematika të mprehta që duhen adresuar dhe zgjidhur. Ato lidhen kryesisht me besueshmërinë, financimin dhe infrastrukturën. Çdo javë ka ankesa për gjykime të gabuara, vazhdimisht ka protesta për mungesë financimi dhe baze ligjore për mbeshtetjen e financimeve private, ka ankesa për gjendjen jo të mire të fushave dhe stadiumeve.

Dhe patjetër që zgjidhja e këtyre problematikave duhet të bëhet në një bashkëpunim efektiv ndërmjet qeverisë dhe futbollit.

Por, nëse Kryeministri dhe qeveria nuk e sheh, ndjek, analizon dhe trajton futbollin atëherë si mundet që të hyjë në këtë bashkëpunim për të zgjidhur problematikat e futbollit dhe jo vetëm të tij?

Edhe nëse perceptimi i vetëm që ka kreu i qeverisë është se në futboll ka pagesa në të zezë dhe shumë penallti të dhëna gabim, që “përkthehet” në evazion fiskal dhe cenim të qëllimshëm të ndershmërisë së lojës, atëherë përse nuk tregon më shumë interes që këto problematika të adresohen dhe zgjidhen?

Lënia e futbollit larg vëmendjes qeveritare dhe pohimi i kësaj braktisje me shumë lehtësi në prononcime publike është një pozicionim i gabuar. Duke marrë këtë pozicionim as nuk zvogëlohet informaliteti dhe as nuk pakësohen penalltitë e dhëna gabim…

Përkundrazi lihet terren që penalltitë gabim, të ndërtojnë një sport gabim.

Dhe që pagat në të zezë të kombinohen me ngjyrën e përgjithëshme të të ziut sport shqiptar…
*Opinioni eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”