Vllaznia u-19 u ndal në një barazim 2-2 në ndeshjen e djeshme kundër Partizanit u-19. Shkodranët e vegjël e drejtuar nga Vioresin Sinani nuk arritën të merrnin pikët e plota në ndeshjen shtëpiake. Protagonist i sfidës me golin e tij ishte Paulo Pjeshka.

Mesfushori me tipare sulmuese arriti të shënojë njërin nga golat dhe në një intervistë për “Shkodra Sport” flet për golin dhe takimin e luajtur, por gjithashtu shpreh edhe zhgënjmin që skuadra nuk arriti fitoren.


-Paulo, si fillim urime për golin. E rrallë për ty të shënosh me kokë apo jo?

Faleminderit për urimin. Po është e vërtetë që nuk është se kam shënuar shumë gola me kokë. Por jam i lumtur që shënova dhe kontribuova për skuadrën time.

-I zhgënjyer nga rezultati 2-2 në fund të ndeshjes?

Realisht isha i zhgënjyer pasi ishte një takim që e dominuam nga fillimi në fund. Por disa episode edhe që mund të ndodhin në futboll apo edhe gabime arbitrare ndikuan në rezultatin e ndeshjes.


-Duhet një fitore në ndeshjen e rradhës për të harruar këtë barazim?

Ne hymë gjithmonë për fitore në fushë. Edhe në ndeshjen e rradhës patjetër që hymë me këtë objektiv. Ne jemi ekipi kryesues dhe këtë duhet ta vërtetojmë gjithmonë.


-Titulli kampion në Shkodër në fund të edicionit?

Po punojmë shumë që ta arrijmë. Stërvitemi çdo ditë dhe punojmë fort me trajnerët tanë që në fund të gjithë të plotësojmë objektivat tanë. Duam që në fund patjetër të jemi kampionë.


-Pjeshka së shpejti tek ekipi i parë?

Unë kam zhvilluar disa stërvitje me ekipin e parë të Vllaznisë. Madje edhe kam debutuar në kupë kundër Flamurtarit. Ëndrra është që të jem sa më shpejt protagonist me skuadrën e parë.


-Do shënosh në ndeshjen e rradhës?

(Qesh). Uroj që po. Kjo edhe për të ndihmuar skuadrën që të rikthehet fitoreve.
Intervistoi: Endri ÇINARI