Orges Shehi është i bindur se Vllaznia ka filluar të mendojë më shumë për vendin që mban në renditje dhe nëse mund ta mbrojë deri në fund të kampionatit. Ish-trajneri i Skënderbeut e Kukësit pranoi se është tifoz me shkodranët për lojën që bëjnë, por nuk i sheh më ata aq “aventurierë”.

“Ky është kampionat rivalizues, pasi Laçi e Teuta kanë marrë pikët e plota, këtë javë kryesorja përfundoi barazim. Të tjerat ishin rezultate logjike. Besoj se do të jetë i rivalizuar deri në fund, mendoj se këto 6 skuadra mund të vazhdojnë luftën dhe do të ketë ndërrime pozicionesh nga java në javë.

Vllaznia meriton komplimente se nga java e parë deri tani bënë të njëjtën lojë, e shihja të vështirë me Apoloninë por prapë kishte përshtatje.

Trajneri ka të drejtë që thotë po e shijojmë se e shohim nga jashtë që Vllaznia, jam fans i Vllaznisë  dhe të gjithë po e shohim që po e gëzojnë e shijojnë se shihet nga mënyra si e festojnë lojën.

Rezultatin nuk e kanë pasur, para një jave nuk e kishin dhe u rikthyen në ritmin e tyre. Them se e mendojnë klasifikimin, e mendojnë se mentaliteti ka ndryshuar pak. Nëse në javët e para luanin gjithçka për gjithçka, tani po menaxhojnë pikët për të marrë maksimalen”, tha Shehi. /vipsport/