Numri i futbollistëve shqiptarë që po rriten nëpër Europë shtohet gjithnjë e më shumë. Gazeta “Shkodra Sport” sot po “zbulon” një tjetër lojtar i cili mund të ketë një karrierë të suksesshme në të ardhmen.

Bëhet fjalë për portierin Orion Elezaj, i cili është me origjinë nga Bajza e Malësisë së Madhe. Ai ka lindur në Urbino të Italisë më 17 gusht të vitit 2004.

E ka filluar futbollin në moshën 6 vjeçare me ekipin “ASD Valfoglia”, ndërsa vitin e kaluar ka kaluar tek “Academy Juventus Fano”. Nga gushti i këtij viti ndërkohë ka kaluar tek “Vis Pesaro” me të cilin luan me grupmoshën U-15, i cili bën pjesë në ligën profesioniste në Serinë C.

Gjatë këtyre viteve është ftuar në grumbullime të ndryshme që Kombëtarja Italiane ka bërë dhe po ashtu, ka marrë pjesë edhe në disa “stage” që FSHF ka zhvilluar me grupmoshat në Itali.

Karriera e tij duket në ngjitje. Aktivizimin si titullar me “Vis Pesaro”, Orioni ka dëshirë ta shfrytëzojë si mënyrë për kalimin tek Sampdoria ngaqë ekipi “Vis Pesaro” është në bashkëpronësi me klubin e mirënjohur bardheblu.

“Kjo është dëshira ime e madhe për momentin, të arrij të luaj me Sampdorian”- thotë në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” vetë Elezaj.

Me siguri që karriera e tij do të vijojë të njohë rritje. Vetëm 14 vjeç dhe 1.82 metra i lartë, disa trofe të fituara si portieri më i mirë në aktivitete të ndryshme ku ka marrë pjesë.
© shkodrasport.com