Paul Pogba nuk luan prej më shumë se 30 ditësh një ndeshje me Manchester United, për shkak të një dëmtimi në këmbë. Ylli francez është padiskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm të “Djajve të Kuq”, por dëshira e tij për t’u larguar nga “Old Trafford”, nuk e ka lënë asnjëherë të tregojë potencialin e plotë të tij.

Pogba u transferua në verën e vitit 2016 nga Juventusi, për plot 89 milionë sterlina, duke qenë për disa vite transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Mendohej se do të ishte një investim i mirëmenduar nga “Djajtë”, por Pogba nuk i ka justifikuar shifrat e paguara për të.

Edhe pse asgjë nuk ka shkuar ashtu siç mendohej në fillim, bordi drejtues i United ka ende besim te kampioni i botës dhe nuk do të lejojë largimin e tij.

Lajmi është publikuar sot nga shumë medie britanike dhe merkato e janarit nuk do ta shohë mesfushorin francez të ndërrojë destinacion. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë zhvillimesh do të ketë në ditët në vazhdim, pasi dëshira e Pogba për t’u larguar, është e qartë./abcnews/