Luiz Felipe Scolari ka udhëhequr Palmeiras-in drejt titullit kampion në Brazil vetëm pak muaj pas kthimit në atdhe për të drejtuar në Serinë A. Është titulli i dytë kampion për Palmeiras në tre vitet e fundit, i dhjeti në histori.

Scolari, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, tashmë feston një tjetër trofe, me festën që nisi të dielën në mbrëmje, kur Palmeiras fitoi 1-0 në Rio de Janeiro kundër Vasco da Gama-s, duke siguruar titullin një javë para fundit. Ish-sulmuesi i Alaves, Deyverson, shënoi golin vendimtar në minutën e 72-të.

Palmeiras e ka siguruar titullin me 77 pikë dhe nuk humbet prej 22 ndeshjesh me Scolari-n në drejtim.

“Big Phil,” siç thirret shpesh trajneri 70-vjeçar, ishte në drejtimin e Brazilit edhe në Kupën e Botës 2014 dhe regjistroi humbjen historike 7-1 kundër Gjermanisë, ndërsa më pas drejtoi Gremio-n dhe e vazhdoi karrierën në Kinë te Guangzhou Evergrande, ku fitoi 3 tituj kampionë rresht, si dhe Champions League të Azisë.

Scolari nuk e sheh si një pastrim të figurës së tij, pas dështimit në 2014: “Nuk jam i kaluar mode, nuk jam më i miri dhe as më i keqi. Jam një trajner i mirë”, tha Scolari pas titullit, që ishte një ngushëllim i madh për eliminimin nga Boca Juniors në gjysmëfinalet e Copa Libertadores.

Rëndësia e Scolari-t në këtë titull është e padiskutueshme, pasi e mori drejtimin në korrik dhe Palmeiras ishte shumë larg kreut të tabelës, por në 22 ndeshje fitoi 16 herë dhe pësoi vetëm 9 gola, duke e merituar plotësisht titullin./telesport/

https://twitter.com/Esp_Interativo/status/1066810990698930178?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1066810990698930178&ref_url=https%3A%2F%2Ftelesport.al%2Fpalmeiras-kampion-big-phil-scolari-ben-magjine-e-radhes%2F