Ai është marrë gjithë jetën me futboll, ndaj duhet lexuar me kujdes. Bëhet fjalë për Vioresin Sinanin, ishsulmuesi legjendar i Vllaznisë, por edhe i Tiranës dhe Besës së Kavajës. Sot, në rolin e një analisti, por gjithsesi pa iu larguar fort edhe shtëpisë së tij me emrin “Vllazni”, Viori, sikundër e thërrasin të gjithë në Shkodër, bën një analizë jo thjesht të klasikes së kësaj të shtune në kryeqytet, por edhe gjithë kampionatit, duke u ndalur te verdiktet e sezonit.


Sipas Sinanit, Tirana-Vllaznia mbyllet në barazim, teksa Besa është e destinuar të bjerë nga kategoria. Ish-sulmuesi e sheh totalisht të mbyllur çështjen e titullit, teksa sheh një garë të ashpër mes Teutës dhe Laçit për një vend në Kupat e Europës.

Viori, si është e mundur që Vllaznia nisi të fitojë menjëherë sapo u largua nga pankina Agim Canaj? Duket sikur ai ishte e keqja e asaj skuadre…
Jo, jo, nuk ishte Agim Canaj e keqja e Vllaznisë. Nuk ka kuptim kjo gjë. Ai bëri punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, por ndonjëherë të duhet edhe pak fat. Skuadra, edhe pse prodhonte lojë, nuk arrinte të shënonte, por që nga fitorja me Skënderbeu nisi për fat të mirë ngjitja. Sakaq, nuk dua të lë pa përmendur edhe punën që po bën aktualisht Haxhiosmanoviçi.
Në fakt, nuk ka humbur asnjë ndeshje…
Po, dhe është për t’u vlerësuar për këtë gjë në radhë të parë. Së dyti, ai e mori skuadrën në një moment shumë të vështirë, kur të gjithë thoshin se Vllaznia do të binte nga kategoria. Kur të gjithë u fshehën dhe nuk pranonin që ta drejtonin këtë skuadër, ai s’e pati problem të vinte në Shkodër dhe të besonte tek ky grup lojtarësh. Mua më duket se është më shumë shkodran sesa malazez, kjo edhe për faktin se e njeh mjaft mirë dhe ambientin përreth.
Megjithatë, Vllaznia ka një kalendar që nuk e lë të bëjë gjumë të qetë, apo jo?
Kalendari është i vështirë për Vllazninë sikundër edhe për rivalët e saj. Unë nuk shikoj se Tirana, Besa apo Flamurtari kanë kalendar më të lehtë, përderisa do të duhet të kalojnë pikërisht Vllazninë dhe më besoni nuk do të jetë aspak e lehtë. Ashtu sikundër i bëjnë llogaritë kundërshtarët, në të njëjtën mënyrë bëjmë edhe ne.
Duke parë kalendarin, cila mendoni se mund të jetë ndeshja që do të vendosë edhe skuadrën e katër që mund të bjerë nga kategoria?
Janë dy-tri ndeshje, jo vetëm një dhe në gjykimin tim, si Vllaznia dhe Tirana e zgjidhin mbijetesën që në javën e parafundit.
Në ç’kuptim?
Unë them se deri në javën e 32-të do të jetë zgjidhur ky rebus. Edhe pse realisht më vjen shumë keq, këtë e them me sinqeritet, ndaj uroj që kavajasit të më mirëkuptojnë, por Besën e shikoj si skuadrën që do të bjerë nga kategoria. Kam luajtur tek ajo skuadër dhe kam kujtime shumë të bukura, por situata është e tillë dhe mes Vllaznisë, Tiranës, Flamurtarit e Besës shikoj këtë të fundit si të rrezikuarën e madhe.
Pse mendoni kështu, teksa teorikisht Vllaznia ka një kalendar më të vështirë?
E vërtetë, por kush thotë se Vllaznia nuk mund të marrë asnjë pikë në transfertë? Edhe në ndeshjen e kësaj jave në Tiranë unë kam një bindje të brendshme se do të përfundojë në barazim. Besoj se do jetë një ndeshje shumë e bukur, për të mos u humbur, por që nuk do të ketë fitues.
Duke qenë se keni luajtur më përpara edhe me Tiranën, e kishit menduar ndonjëherë se do të vinte kjo ditë që këto dy skuadra do të luanin për mbijetesë?
Kurrë. Realisht nuk ma kishte marrë mendja kurrë. Dy skuadra, të cilat e kanë dominuar skenën e futbollit shqiptar, nuk mendoja se sot do luanin për mbijetesë. Por, ndryshimet në vitet e fundit kanë sjellë edhe këtë lloj katapultimi të situatës edhe në futboll, ku skuadra me histori të jashtëzakonshme të jenë në fund të renditjes, ose të bien edhe nga kategoria, sikundër ka ndodhur fatkeqësisht me Partizanin dhe Dinamon. Gjithsesi, më vjen mirë që katër javë nga fundi i sezonit, i shikoj si Vllazninë dhe Tiranën, të paktën mes elitareve edhe për sezonin tjetër, me shpresën që për 2014-2015 t’i shikoj në luftë për titullin kampion dhe jo për mbijetesë.
Kalojmë te një analizë më e gjerë e kampionatit. E diskuton Skënderbeu titullin?
Pas fitores së fundit dhe humbjes së Kukësit, as më skeptiku nuk duhet të mendojë më se Skënderbeu nuk do të jetë kampion i Superiores. Është vetëm çështje matematikore.
E meriton?
Absolutisht po. Është skuadra më e mirë e kampionatit, pavarësisht luhatjeve që ka pasur, normale për cilindo.
Dhe nëse në gjykimin tuaj Besa do të jetë skuadra e 4-t që do të bjerë, po në Europë kush kualifikohet?
Kukësin e shikoj si më të favorizuarin, jo vetëm për pozicionin në tabelë, por edhe për faktin se është në finalen e kupës. E, në qoftë se e fiton këtë finale, që sipas meje i ka të gjitha gjasat dhe mundësitë, atëherë në lojë do të vihet dhe vendi i katërt në renditje.
Që do të thotë?
Që do të thotë se mund të shkojë pa diskutim Partizani, teksa Laçi dhe Teuta do të përplasen deri në frymën e fundit. Mes këtyre të dyjave nuk di t’u jap një gjykim strikt, pasi i shikoj që të dyja të barabarta.
Ka ndonjë shans që skuadrat të vijnë nga pas, Flamurtari, Tirana dhe Vllaznia të bëjnë ndonjë surprizë për vendin e 4-t?
Gjithçka mund të ndodhë, përderisa matematika ta lejon, por për të qenë realistë këtë e shikoj si shumë të vështirë.
Pra për ju Flamurtari mbetet pa Europë?
Shansin e vetëm, sipas meje, e ka te finalja e kupës, por nisur nga çfarë ka prodhuar Kukësi në dy sezonet e fundit dhe eksperiencën e fituar në Ligën e Europës, shikoj këta të fundit paksa më të favorizuar në këtë finale.
Duke qenë se jeni një nga golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave, si është e mundur që nga viti në vit në Superiore nuk gjen më sulmues tipikë?
Nuk di ta shpjegoj qartazi, ndoshta nuk kanë oreks për gola (qesh). Mendoj se duhet parë mënyra sesi punohet tek akademitë. Nga aty vijnë edhe sulmuesit. Në rast se nuk punohet mirë aty, është normale që nuk do të kesh lojtarë të tillë. Aktualisht për mua Pejiç dhe Bushiç janë goleadorët më të mirë, jo thjesht për golat e shënuar, por edhe për mënyrën tipike të lojës që ata zhvillojnë. Janë sulmues tipikë zone dhe për t’u marrë maksimumin duhet t’i lësh vetëm aty përpara dhe t’i furnizosh me topa. Unë personalisht, jo për të bërë patriotin, do të kisha dashur që të spikaste ndonjë sulmues shqiptar, por në fakt nuk e kemi pasur një të tillë këtë sezon.

 

Sinani, pjesë e formacionit historik
Me rastin e 90-vjetorit të krijimit të KF Vllaznia (themelimi 1919), në 2009-ën gazeta sportive “Vllaznimi Sportiv” pati zhvilluar një anketë për përzgjedhjen e formacionit më të mirë të Vllaznisë në 90 vitet e krijimit të saj. Në votim morën pjesë ish-futbollistë, trajnerë, specialistë dhe gazetarë sportivë. Dhe natyrisht, nuk kishte sesi të mungonte edhe Vioresin Sinani. “Është historia aktuale e Vllaznisë. Sulmuesi modern, ai që më mirë se askush tjetër di ta çojë topin në rrjetë. Jo më kot është golashënuesi më i mirë në gjithë historinë e 90 viteve të këtij klubi”, – shkruhej në artikullin e kësaj gazete për bomberin kuqeblu. Sakaq, 11-shja më e mirë historike përbëhej nga: në portë Paulin Ndoja; në mbrojtje Hysen Zmijani, Muhamet Dibra dhe Fatbardh Jera; në mesfushë Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Ferid Rragami dhe Luan Vukatana; në sulm Loro Boriçi, Medin Zhega dhe Vioresin Sinani. Trajner, i madhi Xhevdet Shaqiri