Trajneri Shpëtim Duro ka analizuar si zakonisht javën futbollistike në “Sport News” në “News 24” duke u ndalur sidomos te ajo që përvijohet si lufta për titullin kampion. Tekniku ka theksuar se tashmë është e qartë se ka katër ekip për titull, ndërsa të tjerat duhet të mendojnë për luftën për mbijetesë.

“E kemi thënë që në dy javët e fundit do të jenë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për portretizimin e skuadrave sa i përket klasifikimit dhe ndodhi ajo që thamë. Kam mendimin që janë 4 skuadra që janë futur në luftë për titullin: Tirana, Kukësi me atë fitore shumë të rëndësishme, Laçi dhe Vllaznia.

Jam i bindur që këto skuadra do jenë në luftë, se dy të tjerat, Teuta dhe Partizani, janë shumë larg. Në nivelin e kampionatit tonë 12 pikë nuk janë pak, në kampionat ka shumë rivalitet, Partizani e Teuta duhet të fitojnë të gjitha takimet që të ngushtojnë këtë diferencë nga katërshja e parë. Dy të mesit, Partizani e Teuta, duhet të luftojnë ndoshta edhe për t’iu shmangur në momente të veçanta katër skuadrave të fundit.

Vllaznia është skuadra më cilësorë, është shumë më keq sa i përket pikëve në raport me sezonin e kaluar. Ndoshta presioni i madh që ka, investimi që është bërë këtë vit, po ndikon te kjo skuadër. Vjet Vllaznia u fut pa pretendime, pa përgjegjësi objektivash dhe doli jashtë parashikimeve në fund të kampionatit.

Këtë vit ka ardhje shumë cilësorë në skuadër dhe objektiv është titulli ose trofe, por është më dobët se vitin e kaluar, po vuan ndeshjet në transfertë. Ka tre muaj pa fituar jashtë, ku në sezonin e kaluar kishte armë të fortë marrjen e pikëve jashtë fushë. Fati i madh që Vllaznia është përsëri aty, ka ndeshje vendimtare me Kukësin, nëse arrin të fitojë, është afër Tiranës.

Duhet të jemi realistë, Dinamo bëri një ndeshje jashtëzakonisht të mirë me Vllazninë, sidomos në pjesën e parë. Ndoshta Vllaznia e kishte menduar pak të lehtë, që nuk rezultoi ashtu. Dinamo tani është në situatë shumë të vështirë, është me skuadrat e fundit që do të luftojnë të shmangin rrezikun serioz për të rënë. Por mos përjashtoni mundësinë që është një pjesë kampionati shumë interesante, por katërshja e fundit është për luftë për mbijetesë.

Vllaznia-Kukësi? Unë e kam theksuar se Vllaznia ka shumë më shumë individualitete, patjetër që është favorite, aq më shumë që luajnë në Shkodër. Por Kukësi është skuadër që të vë në vështirësi, ka mënyrën e saj të lojës, kanë një dirigjent si Taipi që po shfaq vlerat fantastike dhe po mban skuadrën, këto mbajnë skuadrën në kurriz. Kjo do të jetë një ndeshje e paparashikueshme dhe shumë interesante.

Vllaznia duhet të fitojë përndryshe do të krijohen situata jo të mira, duke iu referuar edhe takimit me Dinamon. Shkodra ka momente euforike dhe e patë që kishte shumë eufori para ndeshjes, është qytet që ka shumë eufori kur fiton. Por njëkohësisht është e kundërta kur humbasin, mosarritja e fitores në këtë ndeshje, do të krijohet një presion i jashtëzakonshëm psikologjik në ambientin e Vllaznisë”, tha Duro