Ish-futbollisti e trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, argumenton se tani bardheblutë e kanë të vështirë të ndalen në rrugën drejt titullit. Ndonëse tekniku nuk i sheh përballjet e kësaj jave si masa matëse, në “Rubrika Sportive” tregoi se shihte ekipin në një formë të mirë, ndryshe nga sa po ndodh me Partizanin për gjendjen e të cilit fajëson mënyrën e punës së trajneri Sormani.

“Tirana tani është një ekip i çliruar. ka optimizëm brenda, një frymë që luan lirshëm, të gjithë japin maksimumin, loja ecën. Në Ballsh e Gjirokastër nuk ka pasur kundërshtar serioz, tani fillon faza më e forte për Tiranën se ka ndeshje të forta në Durrës, në Korçë, me Kukësin e Partizanin.

Edhe pse diferenca është e madhe, të gjithë mendojmë se Tirana pothuajse e ka kapur titullin. Që nga kjo, është shumë e vështirë ta thyesh se ka optimizëm loje brenda, nuk sheh lojtarë jashtë formë, kur sheh kush luan në vend të titullarëve, e sheh mbi mesataren. Ndaj është ekip që tani është shumë e vështirë ta mposhtësh.

Partizani është konfuz në fazën ofensive dhe difensive, ekipi mundohet të qarkullojë topin në mesfushë por kur vjen në 30 metrat e fundit nuk është fare i rrezikshëm. Më bën çudi me trajnerin që është shumë i vendosur me atë lloj skeme, nuk mendon të bëjë ndryshime, sipas meje duhet të jetë Bardhi i dytë e një tjetër i avancuar, Solomon apo Braun, edhe pse ata nuk kanë paraqitur ndonjë gjë, por të paktën ta provosh.

Partizani nuk është se nuk ka lojtarë, por nuk ka lojë. Trajneri punon për skemën, por aftësia e trajnerit është puna në 30 metrat e fundit. Një trajner i mirë në 30 metrat e fundit është ai që gjen lojtarët për të shkuar te porta. Trajneri i mirë është ai që e çon skuadrën në sulm në 30 metrat e fundit e jo vetëm 2-3 lojtarë. Sormani vë Bitrin në krah por ai nuk e ndihmon sulmin, ai ka aftësi vetëm në qendër,

Lerda lunate me tre qendra, Bitrit nuk i tha del në krah. Bitri po eci dy metra e humbi, më vjen çudi që e lë një lojtra ta kem në krah. Për çfarë ta kesh? E gjithë loja ishte Abazaj aty, top i gjatë e Abazaj, top i gjatë  Abazaj”, tha Muça.

Në fund, ai bëri edhe parashikimet e rastit për ndeshjet e javës së ardhshme në Kategorinë Superiore, ku ka përballje interesante dhe duele që mund të ndryshojnë tabelën e klasifikimit.

Ai parashikoi fitore të Tiranës ndaj Teutës, të Kukësit ndaj Flamurtarit, Partizanit ndaj Luftëtarit dhe Vllaznisë ndaj Bylisit. Ndërkohë, parashikoi ndalesë të Skënderbeut që mban vendin e tretë në renditje- “Ndahet barazim”, ishte parashikimi i tij për duelin e fundjavës së ardhshme. /vipsport/