I pranishëm mbrëmë në emisionin Star Sport ishte edhe trajneri i femrave të Murlanit, Arben Parmeza. Ai foli rreth situatës së fundit tek Vllaznia, si edhe largimin e trajnerit Thomas Brdariç për të cilin u shpreh i surprizuar dhe se nuk e priste diçka të tillë.

Parmeza në fjalët e tij tha: “Nuk është humbja me Tiranën që e solli Vllazninë në këtë pikë ku është. Mund të them fare mirë se Vllaznia ka qenë shumë naive në disa momente në këtë sezon.

Kam këtu parasysh penallti të dhuruara për kundërshtarët, kartona të marrë të panevojshëm apo edhe arbitrimi që ndoshta ndonjëherë ka qenë në dëm të ekipit. Gjithë këta faktorë bëjnë që kuqeblutë sot të mos jenë aty ku duhet.

Largimi i Brdariç? Të them të drejtën u surprizova, nuk e prisja diçka të tillë pasi unë isha nga ata që besova tek ky trajner. Elvis Plori në krye të pankinës edhe për sezonin tjetër?

Fillimisht i uroj suksese dhe të bëjë sa më mirë këtë sezon, pastaj të ardhmen mund ta shohim pasi çdo trajner varet nga rezultatet. Pse të mos qëndrojë edhe vitin tjetër nëse do arrijë gjëra pozitive në këtë pjesë të mbetur të sezonit?”
Endri ÇINARI