Pasditën e sotme, Partizani do të luajë në Elbasan ndaj Laçit, duke nisur nga ora 19:30 për llogari të javës së dytë të Abissnet Superiore. Të dy ekipet vijnë pas dy sukseseve dhe sërish do të tentojnë vetëm triumfin ndaj njëra-tjetrës.
Partizani vjen pas fitores javën e kaluar 2-1 ndaj Egnatias me golin e Skukës në minutën e fundit, ndërsa nga ana tjetër Laçi e nisi mbarë aventurën në Superioren e këtij sezoni me një fitore bindëse me shifrat 3-1 ndaj Teutës.
Sa i takon titullarëve, Partizani pritet të ketë shumë pak ndryshime në formacion ndaj Laçit, në krahasim me ndeshjen ndaj Egnatias. Me shumë mundësi, Massanga do të zëvendësojë mungesën e Romeros, teksa pritet që Sota të jetë titullar në qendër të mbrojtjes së bashku me Bitrin.
Formacioni i trajnerit italian Giovanni Colella nis nga Rexhepi në portë. Më pas, Hadroj, Sota, Bitri, Buxhelaj, në mesfushë Rrapaj, Telushi dhe Massanga. Hoti, Cara dhe Skuka do të përbëjnë sulmin e të kuqve.
Nga ana tjetër, me shumë mundësi, Laçi do të zbresë me formacionin që luajti në sfidën e parë ndaj Teutës. Trajneri Dejan Vukiçeviç ka vendosur të ruajë 11-shen fituese, duke nisur nga Dajsinani në portë. Në mbrojtje, Roganoviç, Velkoski, Turkaj dhe Ziko. Në mesfushë përpara mbrojtjes, pritet të jenë Manellari dhe Ujka.
Ndërkohë, në mbështetje të sulmuesit nigerian Akinyemi, do të vendosen Spahiu, Babatunde dhe Mazrekaj. Sebastjan Spahiu është shkodrani i vetëm që do të luajë në takimin e sotshëm.
Ndeshja Partizani-Laçi do të luhet pasditën e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:30 dhe ndeshja do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/
Partizani-Laçi, formacionet e mundshme
Partizani (4-3-1-2): Rexhepi, Hadroj, Sota, Bitri, Buxhelaj, Rrapaj, Telushi, Massanga, Hoti, Cara, Skuka Tr: Giovanni Colella
Laçi (4-2-3-1): Dajsinani, Roganoviç, Velkoski, Turkaj, Ziko, Manellari, Ujka, Spahiu, Babatunde, Mazrekaj, Akinyemi Tr: Dejan Vukiçeviç