Vllaznia do luajë sot në orën 17:45 kundër Partizanit në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë. Një takim që mund të përcaktojë shumë në fatet e sezonit të të dy skuadrave, pasi kualifikimi në kupat e Europës duket shumë më i arritshëm nëpërmjet kupës. Si kuqeblutë ashtu edhe të kuqtë garantojnë për një përballje të fortë sot në “Elbasan Arena”.
Trajneri Mehmeti duket se ka projektuar edhe titullarët, ku ka dyshime në disa pozicione. Në portë pritet i padiskutueshëm, Alban Hoxha. Mbrojtja me dyshen e qendrës, Bitri-Belica pritet të kompletohet majtas nga Hadroj dhe djathtas nga Marku, që mbetet në dyshim nëse do e nisë sfidën si titullar për shkak të impenjimit më kombëtaren u-21 përpara 2 ditësh.
Në mesfushë në javët e fundit ka fituar një vend titullari, Matondo. Mesfushori nga Mali i cili pritet të startojë edhe kundër shkodranë. Krah tij gjithashtu në formacion janë projektuar edhe Murataj dhe Kallaku. Në sulm dilema qëndron tek 3 emra. I vetmi i sigurt që pritet të luajë kundër Vllaznisë është Esat Mala.
Ndërsa Cara, Skuka dhe Junior duket se do kenë një balotazh mes tyre se kush do luajë për 2 vendet e fundit të formacionit. Më të avantazhuar duken braziliani dhe sulmuesi dibran, Skuka.
Partizani vjen i plotë në ndeshjen kundër Vllaznisë, ku të kuqtë nuk vuajnë as nga dëmtimet e as nga pezullimet e sot pritet ta luajnë si finale sfidën kundër shkodranëve.
Endri ÇINARI