Shumë lojtarë janë përfolur për t’u afruar te Partizani për fazën ofensive, por deri tani gjithçka ka qenë në kuadrin e aludimeve. Asnjë futbollist i afruar për repartin e sulmit duke bërë që vetëm Skuka të jetë në krye të skuadrës së kuqe.

Edhe pse drejtuesit po punojnë intensivisht për të sjellë në Shqipëri një sulmues “rrace”, mundësitë që ofron tregu e veçanërisht cilësitë e tyre lënë për të dëshiruar. Te 16-herë kampionët e vendit shpresohet që deri në fund të merkatos së verës të jetë gjetur njeriu që do të rivalizojë Xhuliano Skukën për sezonin e ri.

Tregu shqiptar është i varfër, kurse ai i huaj i ka thuajse të gjithë nën kontratë lojtarët që do të bënin diferencën.

Buxhetet e klubeve shqiptare s’të ofrojnë mundësinë e blerjes së kartonëve të tyre. Kësisoj mund të operohet përmes huazimit ose ndonjë futbollist që është në fund të kontratës. Interesi është i madh për të parë se kush do të jetë sulmuesi “pykë” që mund t’i bashkohet Partizanit në këtë merkato vere.