Prapaskenë interesante e rokadës që ndodhi para pak ditësh në stolin e Partizanit. Shkarkimi i Dritan Mehmetit dhe emërimi i Giovani Colellas ndodhi brenda harkut kohor të 24 orëve, një lëvizje që surprizoi edhe për momentin në të cilin erdhi, vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit.

Shkarkimi i Mehmetit u justifikua me humbjen 3-0 në miqësoren me Bylisin, por në fakt nuk ka qenë kështu. Kjo, pasi në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, gjatë miqësores me Bylisin, i pranishëm ka qenë edhe italiani Colella, i cili ka ndjekur nga afër ndeshjen. Një tregues i qartë ky se në klub ia kishin prerë Dritan Mehmetit “biletën” e largimit që para sfidës me Bylis.

Prania e Colellës në stadium demonstron se në mos akordi me ish-trajnerin e Apolonisë, një njohje e vjetër e drejtorit sportiv Marini, ishte arritur, bisedimet me të kanë qenë në fazë përfundimtare. Në këtë mënyrë bie poshtë edhe justifikimi se humbja me Bylisin ishte pika që mbushi kupën për Dritan Mehmetin.

Pothuajse në të njëjtën kohë me trajnerin që mori Partizanin në fillimin e vitit në një pozicion të pashpresë, duke siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane, u largua edhe Egzon Belica, një kolonë e mbrojtjes së kuqe në vitet e fundit, me futbollistin që shprehu hapur pakënaqësinë e tij në lidhje me trajtimin dhe mënyrën e largimit që iu rezervua nga Partizani.