Ndeshja e javës së 26-të të Kategorisë Superiore, ajo në mes Egnatias dhe Vllaznisë që do të zhvillohet fundjavën e ardhshme do të vërë në provë të dy skuadrat për të treguar vlerat e tyre dhe për të tentuar marrjen e pikëve maksimale.

Por ndërkohë tek Vllaznia mësohet se do të ketë sërish mungesa. Përpos asaj të sulmuesit Aralica që dje u ndëshkua me kartonin e katërt të verdhë dhe si rrjedhojë është i skualifikuar për sfidën e Rrogozhinës, konfirmohet edhe një mungesë tjetër.

Bëhet fjalë për atë të mesfushorit Fjoart Jonuzi. Pavarësisht dëshirës për të qenë në fushë, ai e ka të pamundur këtë gjë sepse ka pësuar një tërheqje muskulare dhe si rrjedhojë i duhet edhe pak kohë për t’u rikuperuar.

Mungesa e tij në takimet e fundit ndërkohë ka krijuar një boshllëk shumë të madh në mesfushën e Vllaznisë dhe jo më kot në takimin e fundit ndaj Tiranës, trajneri u detyrua të provonte Diagne në pozicionin e Jonuzit.

Deri më tani për sfidën ndaj Egnatias pra janë dy mungesa të sigurta dhe mbetet për t’u parë gjendja fizike e kapitenit Gurishta dhe e sulmuesit brazilian Da Silva. Tashmë mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të rikuperohen apo jo./SHKODRA-SPORT.COM/