Al Nassr bëri ndoshta goditjen më të madhe ndonjëherë, duke afruar superyllin portugez, Kristiano Ronaldo, me një ofertë marramendëse prej 200 milionë eurosh në vit, duke e bërë këtë të fundit lojtarin më të paguar ndonjëherë në sportin e futbollit.

Ky rekord vjen për portugezin në moshën 38-vjeçare, duke lënë të kuptojmë se ai ka akoma për të dhënë në fushën e lojës, gjë që e tregoi edhe ndaj PSG, me 2 gola të shënuar dhe duke u shpalluar ‘Lojtari i Ndeshjes’ me një vlerësim 9.2, ndonëse përballë kishte yje si Messi, Neymar e Mbappe.

Por, duket se klubi arab nuk është mjaftuar me kaq në merkato, duke synuar afrime të tjera të bujshme.

Pas transferimit të Cristiano Ronaldos, Al Nassr vazhdon të bëjë blerje në Evropë dhe tani po përgatitet për një tjetër afrim të madh.

Klubi saudit synon një tjetër ish-lojtar të Real Madridit, i cili ka ndarë shumë suksese me kampionin portugez dhe ai është Marcelo, mbrojtësi që aktualisht është te Olimpiacos.

Braziliani do t’i japë fund eksperiencës në Greqi në qershor, por në drejtim të tij ka oferta nga klubet amerikane dhe turke, ndaj Al Nassr do i duhet të bëjë një ofertë bindëse në drejtim të Marcelos.