Lukas Ramos de Oliveira është futbollisti brazilian që ka marrë në “qafë” Laçin, pasi ka fituar gjyqin në FIFA me klubin kurbinas, për mosmarrëveshjet që lindën para një viti.
Më 16 shkurt 2022 është zhvilluar gjyqi, ku palë kanë qenë futbollisti brazilian, klubi i Laçit, por edhe klubi i Verias në Greqi, ku u transferua vjet Ramos.Sipas vendimit final të marrë nga gjyqtarët, Ramosit i është dhënë pjesërisht e drejtë, duke rrëzuar pretendimet e Laçit.
Në vendim thuhet se Laçi duhet t’i paguajë lojtarit 7500 euro bruto si shpërblim tremujor i papaguar, plus 5% interes. Ndërkohë, Laçi duhet t’i paguajë brazilianit edhe 24,332.5 euro bruto si kompensim për shkeljen e kontratës pa shkak, plus 5% interesi. Nga 11 gushti 2021 deri në datën e pagesës efektive.Pra, në total janë afërsisht rreth 32 mijë euro bruto plus 5% të interesit.
Sipas vendimit Laçi nuk mund të regjistrojë lojtarë në merkato derisa të bëjë pagesën në llogarinë e Ramosit, maksimumi i penalitetit është tri sesione.Gjithsesi, ky kusht është në dorë të brazilianit, që aplikohet po u ankua për mospagesë.
Më 7 gusht 2020 Ramos firmosi për dy vite me Laçin për 1750 euro pagë bruto në muaj, 750 euro si “dietë sportive” në muaj, si dhe 9 mijë si tarifë fillestare e firmosjes së kontratës.Në gjyq janë pasqyruar me detaje edhe përplasjet, kushtet kontraktuale dhe penalizuese.
Madje, në proces ka dalë edhe një falsifikim firme për një shumë të pretenduar të paguar, ku firma e paraqitur nuk përkonte me firmën origjinale të brazilianit.Në proces Laçi ka pasur ankesa edhe për Verian, klubi ku Ramos firmosi vjet në gusht për një rrogë mujore 726 euro.
Laçi ka kërkuar në proces 64 mijë euro dëmshpërblim nga lojtari sipas kushteve penalizuese të kontratës dhe prishjes së saj, si dhe firmosjes te klubi grek, ku kërkohet që Veria duhet të mbajë përgjegjësi solidare.