Ditmar Jubica, ish-arbitri shkodran dhe sot drejtor sportiv tek akademia Basania ka komentuar për ndeshjen finale Vllaznia-Laçi. Ai u ndal më së tepërmi edhe tek performanca e Juxhin Xhajes, por edhe lënia në harresë e kolegjiumit të Shkodrës.
Jubica tha: “Si tifoz jam shumë i gëzuar që Vllaznia arriti të fitonte kupën. Patjetër që ky sukses duhet të shërbejë për ndërtimin e një të ardhmeje sa më të fortë, ku çdo gjë duhet të jetë pjesë e një projekti afatgjatë.
Arbitrimi ? Mendoj se Xhaja bëri një performancë të mirë, por edhe ekipet ia bënë shumë të lehtë. Kjo pasi çdo gjë ishte brenda Fair Play dhe nuk i kaloi limitet e lojës. U tha se mund të ishte një karton i kuq për Aralicen, por nuk është i tillë. Kjo pasi sulmuesi nuk e shikon fare kundërshtarin, por kërkon vetëm topin. Pastaj vjen përplasja, por që është totalisht e paqëllimshme.
Gjithashtu dua të ndalem edhe tek e ardhmja e arbitrimit. Disa kolegjiume në rrethe po shkojnë drejt shkrirjes. Kjo pasi çdo gjë është përqendruar në Tiranë. Edhe arbirat shkodranë nuk po marrin vlerësimin e duhur. Ashtu si futbollistët edhe arbitrat kanë nevojë për minuta dhe ndeshje. Dhe kjo nuk po ndodh për shumë kolegjiume në mbarë vendin”.
Endri ÇINARI