Mbrojtësi veteran, Xhorxho Kielini, nuk ka pak që ka mbërritur në SHBA për t’iu bashkuar Los Anxhelos FC, por 38- vjeçari duket se ka një jetë që ndodhet në Kaliforni. Pas 17 sezonesh të suksesshme, ku fitoi thuajse gjithçka me Juventusin, ai vendosi të provojë një eksperiencë të re. Ai ka shijuar dhe suksesin e parë ndaj Siatëll Sanders (2-1), duke festuar si të kishte qenë fitorja e parë e tij në karrierë. Që nga metropoli i Kalifornisë, ish-mbrojtësi i Juventusit ka dhënë një intervistë për gazetën “Marca”. Legjenda italiane ka folur për jetën e tij të re, të kaluarën në Itali dhe mundësitë për të veshur fanellën e Realit.

Zgjodhët SHBA-në, por a patët ndonjë ofertë nga Spanja?

Sinqerisht jo. Pastaj e kisha vendosur që në Europë klubi im i vetëm do të ishte Juventusi. Dëshiroja të provoja një eksperiencë të re në kampionatin amerikan dhe Los Anxhelos FC ishte zgjedhja më e mirë për vitet e mia të fundit në futbollin aktiv. Do të zbuloja një qytet të ri, një kulturë të re, një formë të re të të parit të futbollit.

Në vitin 2021 “RAI” informoi se ju kërkonte Reali?

Jo, jo…! E vërteta është se nuk e kam menduar asnjëherë të luaj për ekip tjetër veç Juves në Europë. Kam qenë pranë Realit vetëm në vitin 2010.

Nuk u bë sepse nuk deshi Murinjo…

E vërtetë. Por di të them se dhe vetë klubet nuk është se arritën në një marrëveshje. Gjithsesi, e ndiej veten me fat që kalova të gjithë karrierën time te Juventusi. Por është e qartë se Reali është një klub fantastik.

Si ju duket Ançeloti, çfarë mendimi keni për të?

Rezultatet e tij, karriera e tij flet vetë. Është i shkëlqyer. Pengu i vetëm është se nuk kam punuar kurrë me të, do të kisha dashur shumë ta bëja. Nuk më mbetet veçse t’i uroj më të mirat deri në fund të karrierës së tij.

Para se Ançeloti të merrte Realin, flitej se aty do të ishte Alegri.

Edhe Alegri është një trajner i madh, janë të ngjashëm.

Cili është rivali më i fortë me të cilin jeni përballur?

Me siguri e them se është Ibrahimoviç. Por të mos harroj edhe Kristianon, i cili më ka shënuar shumë gola, gola pa fund.

Militao, Alaba, Rydiger… Mendoni se Reali ka mbrojtjen më të fortë në botë?

Nuk mund ta vendos unë nëse Reali ka apo jo mbrojtjen më të mirë në botë, por di të them se Reali ka mbrojtës të shkëlqyer. Pastaj nuk është se janë vetëm këta të tre në Madrid. Reali ka dhe një mbrojtës fantastik si Naço. Ndoshta më pak i vlerësuar se të tjerët, por që në vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm. Në fillim shumë njerëz nuk e mendonin atë si një lojtar të madh dhe tani unë e përfshij emrin e tij në mesin e atyre që përmendët, Alaba, Militao dhe Rydiger. Kur luan Naço, është fantastike. Por Real Madridi gjithashtu ka lojtarë mjaft të mirë në të gjitha repartet e fushës: mbrojtës, mesfushorë, sulmues gjithashtu… Ata janë të gjithë fantastikë. Është një klub shumë i madh dhe ata kanë merituar të fitojnë gjithçka.

A mendoni se triumfi me Italinë në Kampionatin Europian ishte suksesi më i madh për ju?

Po, kjo është shumë e vërtetë.

Gjatë rrugëtimit eliminuat Spanjën…

Ndeshja kundër Spanjës ishte më e vështira për Italinë, ndoshta ishte i vetmi takim që nuk e meritonim të fitonim, por fati ishte me ne. Spanja na vuri në presion të madh, por zgjuarsia jonë ishte se qëndruam të bashkuar dhe nuk u përçamë asnjëherë. Në fund të kompeticionit e merituam plotësisht fitimin e tij, sepse në harkun e një muaji kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer. Ai ka qenë momenti më i mirë në karrierën time.

Si e shihni Botërorin e ardhshëm pa Italinë?

Jemi të trishtuar, sepse është hera e dytë radhazi që nuk arrijmë të kualifikohemi për në Botëror. Kjo është një njollë për të gjithë ne. Duhet të rinisim gjithçka nga e para, duhet të ulim kokën e të punojmë më fort. Nuk duhet të humbasim kohë me fjalë.

Italia nuk është, cilën kombëtare shihni favorite?

Fillimisht do të rendisja tri, Francën, Brazilin dhe Spanjën. Por nuk do të habitesha nëse do ta fitonte dhe Anglia. Kur Botërori luhet në verë ata vijnë të lodhur, sepse kanë një sezon tepër të ngarkuar. Por tani që Botërori luhet në nëntor ata do të jenë shumë më në formë.