Java e 7-të e Superiores do shikojë Vllazninë në një duel kundër Partizanit. Një ndeshje direkte kjo për vendet e larta të renditjes. Patjetër kuqeblutë do kërkojnë fitoren para publikut të tyre, por nga ana tjetër edhe kryeqytetasit duan reagimin pas humbjes me Tiranën në derbi.

Një sfidë speciale që luhet si gjithmonë për objektiva madhorë. Por më e veçantë kjo ndeshje do jetë për mesfushorin e Vllaznisë, Esat Mala. Futbollisti nga Prizreni i cili është formuar tek akademia e Shkëndijës së Tiranës, gjithë karrierën e tij si profesionist e ka zhvilluar tek “demat e kuq”.

Ai ka debutuar në sezonin 2017-18 në rradhët e 16 herë kampionëve të vendit. Ku shpejt shtatshkurtëri u shndërrua jo vetëm në një prej futbollistëve kryesorë të Partizanit, por edhe një prej më të mirëve në Superiore. Pas 5 sezonesh në rradhët e “demave” ku fitoi edhe titullin kampion në edicionin 2018-19, ai u largua këtë verë në drejtim të Vllaznisë.

Kjo do jetë hera e parë në karrierën e 23-vjeçarit që do jetë kundër skuadrës që e bëri të njohur. Ndoshta një ndjenjë nostalgjie apo emocionesh do shfaqen tek Mala, që patjetër do kërkojë të japë më të mirën për fitoren e Vllaznisë. Mala në karrierën e tij numëron 157 paraqitje me Partizanin ku ka koleksionuar 14 gola dhe 18 asiste.
Endri ÇINARI