Çudirat e futbollit nuk kanë fund dhe ngjarja e ndodhur në fundmi në Kosovë, e vërteton diçka të tillë më së miri. Në ndeshjen mes Arbërisë dhe 2 Korrikut në Ligën e Parë të Kosovës, është dëmtuar një futbollist por ambulanca e parkuar në stadium, nuk kishte shofer.

Diçka të tillë e ka zbuluar ish-sulmuesi i Vllaznisë, Kastriot Rexha i cili i ftuar në një emision në “TËVË1” në Kosovë, ka treguar në lidhje me incidentin. Futbollisti i Arbërisë ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes dhe është kërkuar që të shoqërohet në drejtim të spitalit por shoferi i ambulancës kishte mbyllur mjetin dhe ishte larguar nga stadiumi duke pirë kafe.

“Më bëri përshtypje sot një ngjarje që Ajeti, lojtar i Arbërisë u dëmtua. Kërkohej ambulanca por shoferi e kishte mbyllur. U deshën 10 minuta sepse nuk vinte shoferi dhe nuk mund të çonim djalin në urgjencë.

Kërkuam në tribunë, por ishte duke pirë kafe. Nuk kishim ku të merrnim çelësin për të hapur makinën, por fatmirësisht djali është mirë sepse kam kontaktuar. Dua të them që shoferët e ambulancave nuk janë që të vijnë vetëm për të marrë 60 euro sepse për pak minuta mund të shpëtojnë një jetë njeriu. Pas 10 minutash, erdhi duke lëshuar sirenat”, u shpreh Rexha.