Vllaznia shpreson që prania e shumtë në numër e tifozëve në “Loro Boriçi” t’i japë shtysën e duhur këtë javë ndaj AEL Limasol për të përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë në Ligën e Konferencës.

Një “armë” për të cilën janë të ndërgjegjshëm edhe në Qipro, ku tifozët e AEL janë munduar që të kundërpërgjigjen në mënyrën e tyre.

Mbështetësit e skuadrës kanë dashur të tregojnë se i gjenden pranë ekipit edhe pse nuk do të udhëtojnë drejt Shkodrës për të ndjekur këtë sfidë. Kështu, ata janë shfaqur sot në stërvitjen e ekipit në Limasol.

Rreth 100 tifozë, me flamuj e flakadanë, kanë përshëndetur lojtarët në kompleksin stërvitor, duke i uruar fat për udhëtimin drejt Shkodrës dhe ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Një atmosferë e zjarrtë, për të përgatitur ndoshta skuadrën për atë që e pret në vendin tonë ku mbështetësit e kuqebluve pritet të jenë një armë shumë e fortë për ekipin e drejtuar nga Tomas Brdariç.