Kërkesa për të marrë pjesë në Memorialin ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2012” ka qenë shumë e madhe. Këtë e ka konfirmuar inspektori i Federatës Shqiptare të Boksit Migen Pero  i cili sëbashku me sekretarin e kësaj Federata Edmond Kabashi, kanë qenë dje në Shkodër për të biseduar rreth përgatitjeve që po bëhen për këtë aktivitet. Sipas Peros, të gjitha kërkesat e ardhura për të marrë pjesë në memorialin që nis më datë 9 mars nuk janë miratuar ngaqë nuk janë mundësitë për të pritur kaq shumë sportistë nga e mbarë bota. “Kemi patur rreth 25 kërkesa nga e mbarë bota por nuk kemi mundur t’ua plotësojmë të gjithëve kërkesën ngaqë tre ditë aktivitet janë dhe pjesmarrja do jetë paksa më e kufizuar. Them se do jetë një aktivitet që do ketë përmasa të mëdha dhe prandaj po marrim të gjitha masat që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet”-ka thënë ai. Kur ka mbetur edhe një javë deri në nisjen e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm, inspektori Pero ka bërë të ditur se janë edhe disa probleme të vogla për t’u rregulluar dhe në ditët e ardhshme falë edhe stafit që është ngritur dhe punon me shumë përkushtim, çdo gjë do jetë gati në kohën e duhur. “Ka një staf të tërë që po punon për këtë Memorial si nga Federata ashtu edhe nga Bashkia Shkodër, Klubi Vllaznia etj dhe të gjithë janë të përkushtuar për mbarëvajtjen e tij ashtu siç duhet. Jam i bindur se çdo gjë ka për të shkuar mirë”-shprehet Pero. Memoriali “Vllaznia 2012” në këtë mënyrë pritet të shënojë një rekord pjesmarrësish nga e mbarë bota duke shënuar kësisoj aktivitetin më të madh dhe më të rëndësishëm që është zhvilluar ndonjëherë në Shkodër por edhe për boksin shqiptar.

www.shkodrasport.com