Nga Endri ÇINARI

Sot, në orën 17:00 u luajt edhe ndeshja e 1/8 të kupës së Shqipërisë. Vllaznia priti në Shkodër, Flamurtarin të cilin e mposhti me rezultatin 4-0.

Në këtë mënyrë shkodranët kalojnë në çerekfinalet e turneut. “Shkodra Sport” përveç raportimit nga minuta në minutë, sjell edhe disa të “veçanta” në duelin mes shkodranëve dhe vlonjatëve.

-Ka “terr” informativ përsa i përket transmetimit të ndeshjes. Pavarësisht se në fushë ishin dy nga ekipet që kanë bërë histori të futbollit tonë, televizoni që ka të drejtën e transmetimit nuk e ka preferuar këtë duel.

-Ekipet kanë kontraste ngjyrash, Vllaznia e veshur totalisht me të zeza e ndërsa Flamurtari i gjithi me të bardha.

-Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi vijon ti ndjekë ndeshjet nga tribuna gazetarëve. Shkak dënimi nga disiplina.

-Dy kapitenët janë shkodranë, Balaj tek shkodranët dhe Pjeshka tek bregdetarët. Tek Flamurtari po ashtu aktivizohen edhe dy mesfushorët e tjerë shkodranë Vucaj dhe P.Pjeshka. Mungon në ndeshje një tjetër shkodran si Ramadani.

-Bie në sy “look” i ri i Balajt. Sulmuesi është i qethur i gjithi në zero. Sa nga tribuna ka edhe humor “do e marrin ushtar”.

-Nuk mungojnë në stadium tifozët, ku në veçanti vlen të theksohet prania e gjithmonshme e tifo grupit “Vllaznit”.

-Të qetë përgjatë gjithë ndeshjes dy trajnerët. Si Osmani tek Vllaznia ashtu edhe Resuli tek vlonjatët i cili në heshtje duket se pranon supermacinë e kuqebluve.

-Ka një diskutim tek penallti e Vllaznisë. Krymi dhe Boshnjaku kanë një bisedë mes tyre se kush do e godasë. Në fund fiton lojtari nga Kosova, që gjuan dhe shënon.

-Në fund mbyllet 4-0 për Vllazninë, që bën kështu 5 ndeshje rradhazi me kampionatit dhe kupës pa pësuar gol. Shkodranët kalojnë në çerekfinale e ndërsa Flamurtari tashmë duhet të përqendrohet tek lufta në Kategorinë e Parë.