Sot u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”, dueli i javës së 3-të në Superiore mes Vllaznisë dhe Partizanit. Takimi më i rëndësishëm i këtij raundi në kampionat përfundoi në shifrat 0-0.

“Shkodra Sport” përveç raportimit të ndeshjes minutë pas minute sjell për lexuesit e saj edhe disa “pikante” të duelit mes shkodranëve dhe “demave”.

-Dy ekipet vonojnë të dalin në fushën e lojës. Takimi nis pak me vonesë.

-Kapitenët e dy ekipeve janë më të vjetrit e ekipeve respektive. Konkretisht Balaj 32-vjeçar tek Vllaznia dhe Hoxha 35 vjeç tek Partizani.

-Ka një numër të kënaqshëm tifozësh në stadiumin “Loro Boriçi”. Orari i pasdites dhe moti perfekt duket se ka favorizuar spektatorin shkodran.

-Nuk mungojnë as figurat e njohura mes tifozëve si këngëtari i mirënjohur Bujar Qamili. Apo edhe ish-futbollistë si Auron Miloti apo Luan Zmijani, ish-futbollist i të dy ekipeve.

-Trajnerit Memelli i duhet të ndërrojë veshjen e tij. Kjo pasi këmisha e bardhë që kishte veshur kreu i stoli kuqeblu përkonte me ngjyrat që kishin veshur miqtë. Ish-sulmuesi pastaj vendos të vishet me një këmishë të zezë.

-Batutat e tifozëve shkodranë lidhen edhe me drejtorin e Partizanit, Olsi Rama. Ku i drejtohen me fjalët: “Tani vjen më me qejf në Shkodër, duke qenë se bashkia është e majtë”.

-Nuk fal aspak Jorgji që i tregon të kuqen që në minutën e 14-të Magueetes. Kjo pas dy të verdhave të lojtarit të Partizanit. Tek Vllaznia kërkonin vijimin e aksionit përveç kartonit, ku kuqeblutë kishin mundësi të rrezikonin portën e kuqe.

-Jorgji jep këshilla për Lekiqin (trajnerin e portierave të Vllaznisë) dhe Kalarin (zv.trajnerin e Partizanit). Pas fjalëve që këta dy të fundit shkëmbyen në distancë.

-Mbyllet 0-0 pjesa e parë me tifozët shkodranë të pakënaqur me performancën e skuadrës së tyre.

-Tenton dy herë Boshnjaku nga jashtë zone, tifozët nga shkallët thonë se e treta do jetë e vërteta.

-Është goxha ekspresiv Memelli e në krahun tjetër qëndron i qetë Zekiç.

-Krymi i kërkon zëvendësim Memellit, kjo pasi duket se mesfushori pas dëmtimit nuk mund ti kryejë 90 minutat e plota.

-Ka një ngatërrim në momentin e zëvendësimit, tabela tregon që nga fusha duhet të dalë Mala. Por trajneri Memelli i surprizuar nga kjo ndërhyn duke cilësuar se është gabim dhe nga fusha duhet të dalë Gruda për Gomes.

-Mbyllet 0-0 i gjithë takimi në fund që lë të pakënaqur kampin kuqeblu. Ndryshe nga Partizani që mund ti gëzohet 1 pike në Shkodër duke parë si shkoi ndeshja.
Endri ÇINARI