Shpërthimi i Covid-19 ka sjellë komplikacione në aktivitetet e drejtuara prej UEFA-s, ku vlen të përmendim ato të Champions dhe Europa League. Dy turnetë më të rëndësishme Europiane ishin futur në fazën e tyre më të nxehtë, por planet ndryshuan.

Futbolli ka mbetur pezull prej ditësh dhe askush nuk ka një datë të saktë se kur mund të rifillojë. Megjithatë, ka plane të reja në zyrat e organit drejtues të futbollit europian. Opsionet e deritanishme janë që ndeshjet e mbetura të luhen mes muajit korrik dhe gusht, i ngjashëm me një mini-turne dhe që do të zhvillohet brenda një jave pas së cilës do të kurorëzohej një fitues.

Planet janë të komplikuara disi në Ligën e Kampionëve, pasi skuadra të ndryshme ndodhen në faza të ndryshme. Çiftet Chelsea-Bayern Munich dhe Manchester City-Real Madrid do të duhet të luajnë edhe aktin e dytë për të mësuar më pas edhe skuadrat çerekfinaliste.

Në rast se UEFA do të merrte vendimin për të rifilluar kompeticionin në atë pikë që ndodhej para shpërthimit të epidemisë, gjasat do të ishin se finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohej në Stamboll më 29 gusht, me finalen e Europa League të programuar për Gdansk në Poloni tre ditë më vonë.

Një tjetër enigmë është fakti se si do të zhvilloheshin këto ndeshje. Prania e tifozëve do të sillte komplikacione të tjera për shërbimin mjekësor, pasi rastet me Covid do të shtoheshin së tepërmi. Gjithsesi, deri më tani këto janë hipoteza dhe fjala e fundit i takon të zotit të shtëpisë, UEFA-s./konica.al/