Është vetëm 16 vjeç, por 1.88 metër i gjatë. Luan në qendër të mbrojtjes dhe në një të ardhme do t’i ngjajë Sergio Ramos dhe të zëvendësojë Lorik Canën në Kombëtare. Bëhet fjalë për Elio Zallin, futbollistin shkodran që cilësohet si talent në Itali. Marash Kumbulla është në “gojë” të Europës dhe Elio ka shansin e madh të ndjekë gjurmët e 20-vjeçarit.

Ka luajtur për disa vite me grupmoshat e Interit, ndërsa këtë sezon ka zgjedhur të firmosë me Bolognën për t’u rritur profesionalisht siç e thotë dhe ai vetë. Në një intervistë të dhënë për Newsport.al, Elio tregon si po e kalon këtë periudhë karantine. Pjesë e Kombëtares U-17, ndërsa tashmë e pret U-18. Talenti kuqezi emocionon teksa thotë: “S’e ndërroj Italinë me Shqipërinë. Ngjyrat kuqezi janë lëkura ime e dytë”.

– Si po e kalon këtë periudhë karantine?

Unë po e kaloj si të gjithë të tjerë, në shtëpi duke ndjekur rregullat e shtetit Italian dhe duke bërë stërvitje në kushtet e shtëpisë.

– Si është situata në Itali?

Situata këtu është shumë dramatike. Për më shumë se një muaj kemi qenë të mbyllur në shtëpi, por mendoj se është zgjidhja e duhur dhe e vetme për ta larguar këtë moment të keq e tragjik që ka pushtuar gjithë botën.

– Si po stërvitesh?

Normalisht, çdo ditë. Përpiqem të realizoj 100 përqind programin e preparatorit atletik që na e ka dërguar gjithë skuadrës. Çdo ditë, stërvitja është në mënyra të ndryshme.

– Jeni një nga lojtarët më premtues të moshave. Pjesë e Bolognas U-17. Na trego pak për fillimet e tua.

Fillova të luaj futboll në moshën 5 vjeç, në Mariano Comense, province e Comos. Luajta për 3 vite, pastaj kalova tek Inter ku kam luajtur për 6 vite. Ishin vite te shkëlqyera ku fituam shumë turne të rëndësishëm si në Itali gjithashtu në Europë, ku unë mora shumë çmime personale. Gjithashtu isha kapiteni për dy vite, dhe në 2018 në U15 ne u bëmë kampion ne kampionatin italian.

Jam larguar prej Interit me dëshirën time, sepse ishte zgjidhja më e mirë për t’u rritur profesionalisht. Firmosa me një klub i quajtur Renate Calcio me të cilin luajta vetëm një vit me një grup moshë më të madhe, ku edhe arritëm në finale për të fituar kampionatin, por për fat të keq s’u shpallëm kampionë. Pastaj këtë verë me erdhën disa oferta nga Bologna e disa ekipe te tjera në serie A. Në fund vendosa te luaj tek Bologna.

Sa i përket kombëtares, thirrja e parë më është bërë në vitin 2017 në një turne në Turqi ku isha ftuar me një grupmoshe më të madhe. Duhet të them që ishte një emocion që nuk kisha përjetuar kurrë më parë sepse për një futbollist mendoj se nuk ka asgjë më të bukur se te veshësh fanelën e ekipit kombëtar. Një kujtim tjetër shumë i bukur me ekipin kombëtar ishte goli im i parë qe e realizova në stadiumin e qytetit tim te vendlindjes “Loro Boriçi” në Shkodër. Kemi zhvilluar disa turne, për t’u përgatitur për kualifikimet për Evropianin e këtij viti ku për fatin tim të keq nuk isha në gjendje të merrja pjesë për shkak të një dëmtimi.

– Kush të ka mbështetur në këtë rrugëtim që ke nisur?

Sigurisht që njerëzit e parë që duhet të falënderoj janë familja ime. Çdo çmim që kam arritur është sigurisht falë tyre. Duhet të falënderoj gjithashtu të gjithë trajnerët e klubeve dhe kombëtares që gjithmonë më kanë mësuar diçka të re.

– Kush është idhulli juaj?

Idhulli im ka qenë gjithmonë SERGIO RAMOS. Admiroj gjithçka, cilësitë teknike por mbi të gjitha mënyrën e tij për të qenë udhëheqës, pasionin dhe stilin me të cilin luan. Por, duke qenë shqiptar një idhull tjetër i shkëlqyer i imi është LORIK CANA. Kur ai luajti për Lazion dhe për Kombëtaren unë e ndiqja shumë, edhe ai ishte një lojtar i shkëlqyer.

– Në Itali, Marash Kumbulla është në qendër te vëmendjes dhe vetëm 20 vjeç. Luani në të njëjtin pozicion. A e sheh veten në nivele të tilla pas 4 viteve?

Shpresoj shumë, se deri tani kam bërë shumë gjëra të mira dhe shpresoj te vazdoj keshtu. Kam parë disa ndeshje të tij dhe duhet të them që për moshën qe ka, ai është vërtet i fortë dhe shpresoj të luajë te një ekip i madh sepse e meriton.

– Çfarë mendon për Kombëtaren pjesë e së cilës jeni dhe ju?

Unë mendoj se Kombëtarja jonë po përmirësohet vit pas viti. Kemi arritur kulmin me kualifikimin në evropian të vitit 2016-të. Tani që mister Reja ka arritur të kthejë pozitivitetin në skuadër, jam shumë i sigurt për të ardhmen, si në skuadrën e të rinjve, ashtu edhe në ekipin e parë.

– Nëse do të vinte një ftesë nga Italia, do ta pranoje dhe do t’i lije kuqezinjtë?

Kjo është një pyetje që ma bëjnë shpesh miqtë e mi. Por, përgjigja ime është gjithmonë e njëjtë: KURRË! Fanela e Kombëtares është një lëkurë e dytë për ne futbollistët.


– Shqiptarët në Itali kanë pasur sukses. Ndoshta tanimë, radha juaj?

Do të ishte mirë të luaja këtu në Itali sepse është vendi ku kam lindur dhe sepse është një vend i mrekullueshëm. Por, në futboll s’i dihet kurrë. Nëse ka mundësi të tjera jashtë vendit, pse jo?

– A ka meritokraci në përzgjedhjen e futbollistëve që bëhen në Kombëtare?

Unë mendoj se në fund të fundit, ajo që flet është fusha. Kështu që përgjigja ime, është absolutisht jo. Pastaj po flasim për një ekip kombëtar, që do të thotë se janë zgjedhur vetëm futbollistët më të mirë.

– Ku e sheh veten në të ardhmen?

Shpresoj të arrij sa më lart të jetë e mundur me futbollin duke përfituar nga gjitha mundësitë që do të më ofrohen.

– Skuadra për të cilën bën tifo?

Gjithmonë kam pëlqyer dhe jam tifoz i Real Madrid sepse shumica e idhujve të mi luajnë aty.

– Një premtim fillimisht dhe më pas një këshillë për shqiptarët?

E vetmja gjë që mund të them në këtë moment të vështirë është vetëm të kemi besimin maksimal tek bluzat e bardha dhe të zbatojmë rregullat e tyre dhe jam i sigurt qe do t’ia dalim të gjthë së bashku. Gjithmone së bashku. Forca Shqipëria! newsport/