Shqipëri – Kosovë në basketboll për meshkuj rikthehet në vendin tonë pas gati dy vjet e gjysëm, ndërsa përballë njëra-tjetrës kanë qenë në korrik 2017 në sallën olimpike “Feti Borova” në kuadrin e përgatitjeve për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2019.

Madje në Kosovë janë ndeshur dhe në korrik 2019, këtë herë për t’u përgatitur për raundin paraeliminator të Kampionatit Evropian 2021. Gjithçka do të ndodhë të enjten e 28 nëntorit, në kuadrin e Kupës së Pavarësisë, ndërsa kjo ndeshje do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, në ora 17:00.

Kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga Afrim Bilali, do të grumbullohet të martën për t’u akomoduar më pas në Shkodër, kurse kosovarët do të mbërrijnë ditën e ndeshjes.

E për këtë arsye, Federata Shqiptare e Basketbollit ka shtyrë dhe ndeshjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen të dielën e 1 dhjetorit. Përjashtim bën vetëm Tirana – Vllaznia, që do të luhet mes datave 20 dhe 21 dhjetor. Po për shkak të kombëtares, Vllaznia ka shtyrë dhe ndeshjen e Ligës Ballkanike.

Bëhet fjalë për takimin në transfertë me Akademik Bulteks 99, që do të luhet më 4 dhjetor në ora 19:00 (lokale). Në këtë mënyrë, Shqipëria e basketbollit të meshkujve bëhet gati për Kupën e Pavarësisë, ndërsa duket se do të jetë një test për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2023, të cilat nisin në shkurt 2021, ndërsa jemi në grup me Portugalinë, Bjellorusinë dhe Qipron.
Gjergj VYSHKA