Skënderbeu ishte ekipi që bëri historinë e futbollit shqiptar në 10-12 vitet e fundit. Korçarët jo vetëm që fituan tituj njëri pas tjetrit në Superligë, por morën pjesë edhe dy herë në grupet e Europa League.
Kjo duke shënuar arritje historike për futbollin shqiptar në nivel klubesh. Por bardhekuqtë përveç sukseseve sportive, kishin edhe sukses ekonomik.
Ku emra si Latifi, Berisha, Olayinka, Zeka e shumë të tjerë u shitën jashtë vendit për shifra goxha të majme. Një shembull për gjithë klubet shqiptare se si duhen menaxhuar talentet dhe si mund të përfitohet shumë prej tyre. E tradita për korçarët vijon edhe këtë merkato. Pavarësisht se tashmë të rrëzuar në Kategorinë e Parë, ata kanë shitur futbollistë me vlerën e 240 mijë eurove.
Uerdi Mara kaloi në Turqi për shifrën e 150 mijë eurove, ku për më tepër do mbahet një përqindje e kartonit në rast rishitje të fantazistit. Po ashtu Alfred Mensah është larguar drejt Izraelit për 90 mijë euro. Një shembull për Vllazninë dhe gjithë skuadrat e Superligës se si mund të fitosh edhe në rastet kur rezultatet sportive nuk janë aty ku duhet.
E nga ana e tyre kuqeblutë humbën elementë si Krymi apo Adili me parametra 0. E sidomos mesfushori i cili dje luajti edhe në Champions League me skuadrën e Shakhtar Solygorski, duke zhvilluar një ndeshje shumë pozitive.
Këto gabime duhet të shërbejnë për të ardhmen, ku drejtuesit duhet të jenë më të “mprehtë” me çështjen e promovimit dhe shitjes së elementëve cilësor.
Endri ÇINARI