Futbollistët shkodranë e kemi thënë prej kohësh që janë të shpërndarë në mbarë Europën. Një ndër ta është edhe Eslit Sala. Futbollisti i lindur në Shkodër dhe i zhvilluar futbollistikisht tek Akademia Ajaks, prej 3 sezonesh është pjesë e Valletta në Maltë. 21-vjeçari është shndërruar në një nga futbollistët kryesorë të rekordmenëve ishullor këtë edicion.

Duke luajtur thuajse gjatë gjithë sezonit në pozicionin e mbrojtësit të djathtë, pavarësisht se roli i tij natyral është mesfushor para mbrojtes, Sala i ka mahnitur të gjithë. Jo vetëm grinta dhe lufta sportive, apo edhe marrëdhënia e mirë që ka me topin, por edhe golat kanë shoqëruar djaloshin këtë sezon.

Ai numëron plot 6 të tillë, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës së tij, pavarësisht në rolin e mbrojtësit. “Shkodra Sport” mëson se performancat e Sales kanë rënë në syrin e menaxherëve të ndryshëm. Kështu duket se ka interes nga vende si: Kroacia me klubet elitare të futbollit, por edhe nga Gjermania apo Hollanda për mesfushorin.

Duket se ky do jetë sezoni i fundit i Sales në rradhët e Vallettas dhe futbollisti është pranë hapit të madh në karrierë. Realisht këtë edicion Valletta nuk është se ka shkëlqyer, ku ka mbyllur sezonin e rregullt në vendin e tetë në kampionat, ndërsa tani ndodhet në grupin e mbijetesës në kampionatin maltez.

Gjithsesi për Salen kjo nuk ka ndikuar aspak pasi ky mund të cilësohet si sezoni më i mirë i shkodranit në aspektin personal.

Endri ÇINARI