Polemika të mëdha në Gjermani. Borusia Dortmund mund të humbasë titullin në Bundesligë, për shkak të vendimeve të gabuara të arbitrit në ndeshjen e fundit me Bohumin.

Nga gabimet mësohet, edhe nga gabimet e të tjerëve. Në Gjermani është e mundur që arbitrat, pas ndeshjes, të përballen me shtypin. Sasha Stegeman, arbitri i ndeshjes Bohum-Borusia Dortmund (1-1), ka komentuar vendimet e tij, duke pranuar se kishte gabuar.

Borusia është ankuar për 3 gabime të mëdha: në rastin e golit të Bohumit kishte një faull gjatë aksionit ndaj Emre Çan, ndërsa pas barazimit ishin dy episode në zonën e ekipit vendës që mund të jepeshin penallti. Një prekje me dorë dhe mbi të gjitha një ndërhyrje e gabuar ndaj Adejemi, ku mbrojtësi Soares, i ndëshkuar më parë, do të dilte me të kuq dhe Borusia do të fitonte penallti.

Ishin gabime aq evidente, sa arbitri Stegeman dhe federata gjermane kërkuan ndjesë pas ndeshjes. Gabimi i Stegeman rëndon jo vetëm për fatin e ndeshjes, por edhe për gjithë kampionatin.

“Kur gjërat shkojnë si në atë ndeshje, shkon me ndjenja të këqija në shtëpi, – shpjegoi arbitri për ‘Sky Deutschland. – Atë që ndodhi nuk mund ta përtyp. Nuk jam vetëm një arbitër, por edhe një i pasionuar pas futbollit, një njeri.

Borusia Dortmund ka mundësinë të fitojë titullin pas shumë vitesh dhe nëse nuk i jepet një penallti më shumë se e justifikuar, është normale që të ketë nervozizëm. Nuk kam marrë vendimin e drejtë. Mendova se Adejemi kërkoi kontaktin dhe penalltinë, por gabova. VAR-i mendoi se nuk ishte një gabim i qartë dhe nuk më këshilloi të shikoja pamjet. Do ishte mirë ta rivlerësoja atë moment”.

Edhe federata gjermane e pranoi gabimin: “Soares nuk godet topin, por kundërshtarin. Është faull dhe penallti, siç tregojnë pamjet”. Borusias gjithsesi askush nuk do t’ia japë 3 pikët dhe as kreun e renditjes.