Ndodh edhe kështu. Për shkak te angazhimit të policisë me ndeshjet e ekipeve kombëtare që po zhvillohen në Shkodër, ekipet sportive të këtij qyteti nuk duhet t’i luajnë ndeshjet e tyre të kampionateve. Kjo ngaqë policia nuk i merr përsipër ato ngaqë nuk ka mundësitë për ta bërë këtë gjë. Për këtë arsye, ndeshjet e nesërme të kampionateve të volejbollit, ajo Vllaznia- Lushnja për femra dhe Vllaznia- Studenti për meshkuj, nuk do të zhvillohen. Klubi shkodran ka lajmëruar Federatën për këtë problem duke ofruar edhe mundësinë e sigurimit të rendit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me Policinë Bashkiake por Federata nuk ka pranuar duke vendosur shtyrjen e këtyre ndeshjeve për javën e ardhshme, me shpresën se ky problemi me policinë do zgjidhet.

Në fakt nuk duket një histori kaq e thjeshtë sepse në fund të fundit ndeshjet e volejbollit do luheshin të shtunën dhe jo të dielën kur luhet ndeshja Shqipëri- Spanjë. Në këtë mes duket se diçka ka. Policia e Shkodrës i nxorri probleme edhe Vllaznisë në futboll të mërkurën për ndeshjen e kupës ndaj Mamurrasit. Uniformat blu ishin paraqitur në fushën “Reshit Rusi” dy orë para ndeshjes si zakonisht por më pas, me urdhër të një prej eprorëve janë larguar. Ndeshja ka nisur me disa minuta vonesë derisa tek fusha mbërriti Policia Bashkiake megjithëse në fundin e pjesës së parë erdhën edhe punonjësit e rendit.

Gjithsesi, Drejtoria e Policisë Shkodër po të mërkurën mësohet të ketë kthyer përgjigje në klubin Vllaznia se nuk mund të merrte përsipër sigurimin e rendit në “Reshit Rusi”. Pyetja që lind është e thjeshtë: marrjen përsipër të sigurimit të rendit në aktivitetet sportive, policia e bën me dëshirën e saj apo është e detyruar me ligh? Në fakt është kjo e dyta. Sportklub Vllaznia në shkresën e datës 5 tetor 2016 kur i kërkon Drejtorisë së Policisë Shkodër sigurimin e rendit në ndeshjet e lojërave me dorë te kësaj fundjave, i referohet edhe udhëzimeve të Ministrive respektive ku mbështetet kjo kërkesë, pikërisht urdhërit nr.5512 të datës 16.09.2010 dhe nr.6675/1 të datës 14.10.2010 të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Megjithatë Policia e Shkodrës në përgjigjen e saj po të datës 5 tetor 2016, me nr.prot, 432/1 shpjegon edhe arsyet pse nuk e merr përsipër zhvillimin e këtyre ndeshjeve kur përgjigjet: “Për shkak të angazhimit të madh të forcave tona në mbarëvajtjen e ndeshjeve të vlefshme për Kampionatin Botëror që do të zhvillohen në qytetin tonë si dhe angazhime të tjera, nga ana jonë, është e pamundur që të merret përsipër garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve sportive”. Nëse është vërtetë problemi i ndeshjes Shqipëri- Spanjë, natyrisht që policia e Shkodrës mund të jetë e justifikuar por dilema është se në këtë mes mos ka ndonjë arsye tjetër. Kjo do të mësohet javën e ardhshme, kur kombëtarja e futbollit nuk do ketë më ndeshje në Shkodër.

© shkodrasport.com