Sot u grumbullua përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë, ku trajneri Alban Bushi ka grumbulluar lojtarë të cilët edhe nuk kanë luajtur, jashtë por edhe në kampionatet tona. Madje bie në sy grumbullimi i katër portierëve në këtë “zbor”, ku duket se sërish janë lënë jashtë ata lojtarë që e kanë merituar një shans me Shpresat U-21.

Ndërkohë që ajo që bie në sy në listë është mosthirrja e një prej portierëve që ka spikatur e madje në javët e fundit ka bërë paraqitje mjaft të mirë, Pano Qirko i Bylisit.

Ai është titullar te Bylisi, por veç të tjerave ka një rekord minutazh, madje bën pjesë te futbollistët që kanë më shumë aktivizim këtë sezon në Superiore, pasi ka 2160 minuta me mallakastriotët dhe 24 ndeshje të luajtura.

Madje, Qirko veç aktivizimit të rregullt me Bylisin, ka qenë rregullisht në grumbullime me skuadrat kuqezi që nga U-15 e deri pak muaj më parë me U-21, ndërsa grumbullohen lojtarë nga Kategoria e Parë…!