Vllaznia pësoi tre gola ndeshjen e parë dhe të shumtë ishin ata që e humbën besimin te kuqeblutë. Mbi të gjithë, kundërshtari i radhës ishte pjesë e atyre që nisën të bënin llogaritë me Shiroki Brijegun në turin e dytë.

Në mediat qipriote bëhet me dije edhe nxitimi i AEL Limasolit, drejtuesit e të cilit bënë gati përgatitjet për gjithçka nevojitet në lidhje me udhëtimin drejt Bosnjës. Por… plani ndryshoi.

U PRISH PLANI

Vllaznia bëri përmbysjen e madhe dhe ndër ata që e vuajtën këtë, ishte edhe kundërshtari i radhës, AEL Limasol. Kjo e fundit nisi përgatitjet për udhëtimin drejt Bosnjës, duke e marrë të mirëqenë që rezultati i ndeshjes së parë do të rikonfirmohej.

Për këtë, mediat bëjnë me dije se u bë gati gjithçka me planifikimin e udhëtimit, të biletave e gjithçkaje që nevojitet në axhendën e rrugëtimit drejt Bosnjës. Mirëpo, paraqitja fantastike e Vllaznisë, sidomos pjesa e dytë, bënë që planet e qipriotëve të prisheshin në mesnatë.

Kuqeblutë ia dolën që të bënin përmbysjen e madhe, duke përmbysur edhe planet e kundërshtarit si me llogaritë e stafit teknik, ashtu edhe të drejtuesve që planifikuan gjithçka me destinacion Bosnjën.

AEL NË ALARM PREJ COVID-IT

AEL Limasol ka pasur një situatë aspak të qetë sfundmi. Më 14 korrik, në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, AEL njoftoi se pas testeve të kryera, një prej lojtarëve ka rezultuar pozitiv me COVID.

Mirëpo, çuditërisht, pas këtij njoftimi një ditë më vonë ka ardhur një tjetër postim nga klubi ku shkruhet se të gjithë janë me rezultate negativë pas ritestimit. Jo vetëm kaq, por këtë datë, teksa Vllaznia bëri përmbysjen, AEL bëri një miqësore me Olimpiakos Nikosia e cila përfundoi në barazim 2-2.