Falënderues ndaj futbollistëve dhe shumë i gëzuar për suksesin historik të skuadrës. Edhe pse telefoni nuk i pushonte pas ndeshjes me Vllazninë, teksa merrte shumë urime nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” rreth këtij suksesi të paparë në historinë e futbollit rrogozhinas.

Që nga themelimi i klubit në vitin 1934, Egnatia nuk ishte ngritur kurrë në këto nivele, teksa tashmë është pjesë e finales së Kupës dhe në treshen e kampionatit. Pjesëmarrja në Ligën e Konferencës për herë të parë është një eveniment më vete, por Demrozi kërkon të ulë euforinë, pasi ende nuk ka mbaruar asgjë. Megjithatë, klubi që drejton do të kërkojë për herë të parë një trofe të rëndësishëm, siç është ai i Kupës në finalen me Tiranën më 1 qershor.


Demrozi, urime për kalimin në finale. Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Patjetër skuadrës, të gjithë futbollistëve. Ata po tregojnë vërtetë gjithçka nga vlerat e tyre. Po sillen si profesionistë dhe po kalojnë me sukses sfidat që kanë, si në kampionatit ashtu dhe në Kupë. Tanimë kemi siguruar me plot meritë daljen në finale.

Si u ndiet kur shënoi Xheksoni në minutën e fundit?

. Stadiumi ishte i boshatisur, pasi tifozët tanë janë të dënuar. Por, nëse do të ishin edhe ata, atmosfera do të kishte qenë shumë herë më elektrizuese. Jo vetëm Xheksoni, por të gjithë futbollistët, për mua janë heronj. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme.


Finalja me Tiranën do të jetë më 1 qershor. Besoni se do të sillni kupën në Rrogozhinë?

Ajo që unë dëshiroj me shpirt është që kupa të vijë në Rrogozhinë. Këtë sukses them me bindje se ne e meritojmë, edhe pse më parë na duhet të mbyllim kampionatin dhe të mos e lëshojmë sigurisht vendin e tretë, që e mbajmë prej javësh. Është shumë e rëndësishme të sigurojmë pjesëmarrjen në Europë.