Në një intervistë të dhënë në A2, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh se FSHF ka synim të përfundojë këtë sezon në fushën e lojës, ndërsa thekson se data 24 maj është parashikuar për të rinisur stërvitjen.

Duka theksoi se deri tani janë shpërndarë pothuajse 80% e pagave për futbollistët dhe stafet e klubeve, ndërsa pagesat do të vazhdojnë edhe për muajin e dytë, ndërsa buxheti total është 800 mijë euro. Ndërkohë, kreu i FSHF pati edhe kritika për qeverinë në këtë situatë pandemie, sa i përket mbështetjes ndaj sportit. “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka mbështetur sportin në këtë situatë”, u shpreh Duka.

Në fund të intervistës, ai foli edhe për kontaktet që ka pasur gjatë kësaj periudhe me trajnerin Reja, teksa ky i fundit qëndron në izolim në shtëpinë e tij në Itali. Duka u shpreh se ka pasur kontakte të vazhdueshme me trajnerin, ndërsa përmendi se Reja është shprehur i gatshëm të dhurojë gjysmën e pagës edhe për muajin e dytë.

Duka zbuloi edhe një detaj mjaft interesant, kur tha se Reja ka dhuruar gati një pagë mujore për rindërtimin nga tërmeti.
Intervista e plotë


Ndërprerja e aktiviteteve sportive ka sjellë problematika ekonomike, për kalendarin, por edhe një boshllëk për tifozët. Si është situata me futbollin? Kur do të rinisë sporti më i bukur në botë?

Armand Duka: Vendet e ndryshme kanë qëndrime të ndryshme, megjithë direktivat e vendosura nga UEFA që kampionatet të përfundojnë brenda muajit korrik apo datës 3 gusht. Normalisht që shëndeti është mbi të gjitha. Vende të ndryshme marrin vendime të ndryshme, sipas rastit. Franca apo Holanda që ka ndërprerë kampionatin, ndërsa rreth 80% e kampionateve janë akoma me objektivin për të përfunduar aktivitetet.


Janë diskutuar datat 20 ose 24 maj si mundësi për të rinisur sa më shpejt, nëse qeveria jep leje që skuadrat të zhvillojnë stërvitje në fillim të majit. Si janë planet e federatës së futbollit?

Armand Duka: Ne kemi bërë një plan për të filluar stërvitjen në 24 maj, por ky plan i joni duhet të bashkohet me një protokoll shëndetësor për të minimizuar përhapjen e virusit. Bëhet fjalë për rikthimin e aktiviteteve pa spektatorë, vetëm për të mbyllur aktivitetet. Urojmë që ne ta përfundojmë këtë garë në fushë.


Përpos aspektit sportiv, sa ka ndikuar në aspektin financiar ndërprerja e kampionatit prej ndeshjeve të fundit, të luajtura në 9 mars?

Armand Duka: Sigurisht që në kampionate më të mëdha dëmi është më i madh. Në kampionate të nivelit tonë dëmi në vlerë absolute është më i vogël, por në përqindje është i njëjtë. Të gjithë janë dëmtuar. Ne jemi munduar të japim ndihmesën tonë, por gjithsesi nuk janë në kushte të njëjta sikur të kishte aktivitete.


UEFA njoftoi shpërndarjen e 4,3 milionë eurove për secilën federatë anëtare si ndihmë prej situatës së krijuar. Sa të rëndësishme janë këto para për futbollin shqiptar?

Armand Duka: Për Shqipërinë janë vërtetë shumë, por këto janë vetëm projekte të orientuara. Nuk ka një fond shtesë as nga FIFA dhe as nga UEFA për Covid-19, por ka një orientim ndryshe të projekteve. Ndryshimi që ka bërë UEFA është që këto fonde të mos detyrohen të përdoren për projektet e mëparshme edhe për të kaluar këtë situatë.

Më konkretisht, klubet çfarë do të përfitojnë? Duke qenë se kemi raste të problematikave në pagesat e futbollistëve, madje edhe gjatë këtij sezoni?

Armand Duka: Pa u bërë ky rialokim, ne kemi bërë një paketë financiare për të ndihmuar të gjithë anëtarët tanë me dy paga. Uroj të rikthehemi në maj që të mos ketë një pagë të tretë nga ne.


U përfol për afro 500 mijë euro në muaj. A mund t’a konfirmojmë shifrën dhe a kanë nisur të ndihen rezultatet e kësaj ndihme?

Armand Duka: Janë shpërndarë pothuajse 80% e pagave për futbollistët dhe stafet e klubeve. Do të vazhdojë e njëjta edhe për muajin e dytë. Buxheti total është 800 milionë lekë të vjetra.


Nga skema e ndihmës së federatës mbetën jashtë mjaft lojtarë të kategorive të ulëta, ku klubet janë pronë e bashkive. Kërkesa e tyre nuk u mbështet as nga qeveria. A do të ketë një hapësirë që edhe ata të përfitojnë?

Armand Duka: Bashkitë i kanë paguar rregullisht futbollistët e kategorisë së Parë apo të Dytë, me një pagë minimale 30 mijë lekë të reja.


Kërkuat edhe ndihmë nga qeveria, por pa sukses. E ndërsa marrim si shembull Kosovën, ku u alokua një buxhet 5 milionë euro për sportin, ka një ndjesi zhgënjimi për vëmendjen e pakët dhe mungesën e mbështetjes rreth sportit shqiptar, apo jo?

Armand Duka: Jo ndonjë zhgënjim i madh, pasi unë nuk kam parë ndonjë qeveri që të ketë prioritet sportin, madje lihet pas dore, si një gjë luksi, si një gjë, por nuk është kështu. Është një lojë e shëndetshme për shoqërinë dhe fëmijët tanë dhe një industri që sjell edhe të ardhura në buxhetin e shtetit. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka mbështetursportin në këtë situatë.


A keni një parashikim për pasojat ndaj klubeve nga kjo situatë?

Armand Duka: Duke qenë me buxhete jo shumë të mëdha, klubet shqiptare e kanë më të lehtë për ta tejkaluar këtë krizë nëse do të kthehemi në maj, do përfundojmë kampionatin dhe do të rikthehemi në kupat e Evropës. Besoj se klubet shqiptare do ta kalojnë më lehtë. Por sigurisht që kjo ndërprerje do të jetë një dëm ekonomik edhe për ekipet shqiptare.

Sot qeveria Franceze, publikoi vendimin për të mos lejuar aktivitete sportive deri në muajin gusht? Si e shihni këtë vendim?

Armand Duka: E kam dëgjuar vetëm tani mbasdite këtë vendim. Jam skeptik që Franca do të pranojë këtë, besoj se do të luhet më herët. Nuk mendoj se PSG nuk do të marrë pjesë në Champions. Ekipet që do të luajnë në Kupat e Evropës do të rrinë pa luajtur deri në shtator.


Një prej personave më të prekur nga situata e krijuar nga koronavirus është trajneri Edi Reja. Prej afro dy muajsh në izolim në Itali. Ai vendosi të dhurojë edhe gjysmën e rrogës, ashtu si ju në federatë. Si ka qenë komunikimi me trajnerin, për gjendjen e tij dhe për planet e së ardhmes së afërt?

Armand Duka: Përveç lajmeve që ai merr nga mediat, ne kominikojmë edhe se kur do të rikthehemi. Stafi i tij përgatisin çdo ditë stërvitje online nga moshat e vogla deri te profesionistët. Stafi është në kontakt edhe me ekipin. Komunikojmë edhe për situatën, ne i kemi kërkuar trajnerit dhe stafit që të përgjysmonin pagat dhe për këtë ka pasur një konsensus, madje trajneri më ka thënë para 3 ditëve që janë të gatshëm të bëjnë të njëjtin kontribut edhe për muajin e dytë.

Edhe pse nuk është thënë asnjëherë publikisht, trajneri Reja ka derdhur në buxhetin e Federatës për rindërtimin e shtëpive të tërmetit një sasi të konsiderueshme parash, afërsisht një pagë mujore të tij. Ai jeton me situatën në Shqipëri./A2CNN/