Presidenti i FSHF-së Armand Duka humbi sot nënën e tij, Vajdien, e cila u nda jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin e dha vëllai i kreut të futbollit shqiptar Agron Duka, i cili shprehu dhimbjen për fatkeqësinë e ndodhur në familjen e tyre, si dhe falenderoi të gjithë miqtë për mbështetjen morale që u kanë dhënë në këto ditë të vështira.

Vajdie Duka punoi gjatë jetës së saj si mësuese.

Mesazhi i Agron Dukës:

Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen nga jeta, të nënës sonë Vajdie Duka, në moshën 81 vjeçare e cila ka qenë drita e shtëpisë tonë dhe drita e dijes e shumë nxënësve përgjatë karierës së saj si mësuese. Një humbje e madhe që lehtësohet vetëm nga dashuria me të cilën ka mbushur përherë zemrat tona dhe gjithë të afërmëve të saj.

Të dashur miq, koha e pazakontë në të cilën jetojmë na detyron të heqim dorë nga zakonet e moçme falë të cilave kemi qenë afër njëri-tjetrit edhe në hidhërime, prandaj të gjitha ritet do t’i zhvillojmë pas kalimit të kësaj situate.

Në emrin tim dhe të familjes sime, ju falenderoj për mesazhet tuaja!