Prej 14 vitesh vazhdon të investojë në futbollin e femrave tek ekipi që krijoi në shtatorin e vitit 2005, tek “Juban Danja”, i pari në Shqipëri. Ferdinand Jaku që atëherë nuk është lodhur asnjëherë dhe pavarësisht oshilacioneve që ka kaluar, ka gjetur forca dhe mundësi për t’u ringritur.

“Juban Danja” ka provuar të fitojë dy herë Kupën e Shqipërisë dhe ëndrra e madhe është padiskutim titulli kampion. Ndoshta mund të arrihet edhe këtë sezon. Starti duket i mbarë me një fitore dhe një barazim ndaj dy prej ekipeve pretendente të kampionatit.

“Duke parë rritjen e nivelit të futbollit të femrave në Shqipëri, vendosëm që të ndërhyjmë në skuadër duke e përforcuar me disa lojtare cilësore ashtu si dhe me trajnerin Elis Legata.

Kështu kemi marrë futbollisten Denada Avullija nga Vllaznia, futbolliste kjo që u shfaq edhe si shënuese goli në ndeshjen ndaj Tirana AS dhe po ashtu edhe 5-6 futbolliste nga kryeqyteti. Kemi bërë një riformatim të ekipit për t’i dhënë një tjetër nivel futbollit të femrave në Shqipëri”- ka thënë numri 1 i “Juban Danja”.

I pyetur ndërkohë për pretendimet e këtij ekipi në sezonin që sapo ka nisur, presidenti Jaku është shprehur: “I kemi bërë një nisje të mirë kampionatit duke marrë një barazim që ndoshta mund të konsiderohet si fitore në transfertë me ekipin e Kinostudios që është pretendent dhe po ashtu kemi mundur Tirana AS.

Kjo është një nisje e mirë dhe padyshim që do të tentojmë të bëjmë mirë edhe në vazhdim. Fitorja ndaj Tiranës na i shton pretendimet, ndoshta ndoshta për të fituar njërin prej trofeve të sezonit”.
© shkodrasport.com