Pas një ore në Poloni do të nisë sfida në mes dy ekipeve kampione të futbollit të femrave të Shqipërisë dhe Hungarisë, Vllaznisë dhe Ferencvaroshit. Skuadra që do të fitojë, do të kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Kuptohet që është një përballje shumë e vështirë për ekipin shkodran i cili ndeshet me një kundërshtar me shumë përvojë, i cili po ashtu ka në rradhët e tij plot 9 lojtare të huaja nga e gjithë bota.

Megjithatë te Vllaznia besojnë te kualifikimi, pavarësisht edhe mungesës së dy prej pikave më të forta të saj, qendërmbrojtëseve Albina Rrahmani e Arbiona Bajraktari.

Por ndërkohë, për t’i moticuar edhe më shumë lojtaret, ka menduar presidenti Lazer Matija. “Shkodra Sport” ka mësuar se ai ka akorduar një premio shumë të majme (për futbollin e femrave kuptohet) në rast suksesi ndaj Ferencvarosh.

Bëhet e ditur se shpërblimi i akorduar nga presidenti për arritjen e këtij suksesi do të variojë nga 25 mijë në 30 mijë euro dhe padyshim që kjo gjë do t’i bëjë lojtaret në fushën e lojës të japin më të mirën e tyre për të kërkuar fitoren dhe kualifikimin në 32 skuadrat më të mira të Europës./SHKODRA-SPORT.COM/