Ndeshja e nesërme me Kastriotin konsiderohet jetike për të ardhmen e skuadrës velipojake. Futbollistët dhe stafi drejtues i saj ka ditë që përgatiten për të. Natyrisht që përveç fitores nuk vlen asnjë rezultat tjetër. Këtë besim për arritjen e saj ka edhe presidenti i klubit Alfred Pjetri që në një prononcim për gazetën në këtë pragndeshje do të shprehej:

“Kemi kohë që përgatitemi për këtë sfidë. Ne e konsiderojmë të rëndësishme për ecurinë tonë të mëtejshme në kampionat. Nëse nuk e fitojmë këtë sfidë, gjërat do të komplikohen jo pak për Adën megjithatë nuk besoj të ndodhë kështu. Trajneri Krepi dhe futbollistët janë të përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses këtë përballje”. Ndeshja e nesërme ashtu si gjithë të tjera e këtij sezoni, skuadra velipojake do ta luajë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, aty ku ka gjetur gjithnjë ngrohtësi dhe mbështetje. Presidenti Pjetri e vlerëson shumë këtë gjë, edhe sepse ky qytet është edhe vendlindja e tij e prandaj thotë: “Luajmë në Pukë, në vendlindjen time e cila më ka mirëpritur dhe mbështetur gjithmonë. Kjo natyrisht që do më ndihmojë sërish që me Adën time të kem atë mbështetje që kam patur gjithmonë nga sportdashësit pukjanë dhe me ndihmën e tyre besoj se do mundim jo vetëm Kastriotin por edhe shumë skuadra të tjera. Përderisa më kanë hapur dyert për t’i luajtur të gjithë ndeshjet në këtë qytet, ky është një fakt shumë domethënës dhe natyrisht nxitës për skuadrën që unë drejtoj”. Ashtu si Ada, edhe Kastrioti do kërkojë fitoren. Trajneri i tij, Alert Alcani pas ndeshjes së kupës me Vllazninë në Shkodër deklaroi se mendjen e kishte pikërisht tek përballja e nesërme me Adën. Por në fakt, presidenti i kësaj të fundit, ka një mesazh për të dhe për presidentin Djala kur u drejtohet: “Kam mësuar përmes shtypit se tek skuadra krutane ka patur ndryshime kohët e fundit. Ka ardhur në krye të saj sërish presidenti Djala dhe po ashtu është emëruar trajner Alcani. Sigurisht që edhe ata do kenë objektiv fitoren në këtë ndeshje të tyre të parë por në fakt në përballjen me Adën duhet ta harrojnë atë”. Me shpresën se Ada e madhe do ngjitet shpejt në renditje, drejtuesit e klubit tashmë nuk mund të lënë pas dore edhe Adën “e vogël”, atë që merr pjesë në kategorinë e tretë dhe që e ka nisur mbarë kampionatin e ri. Presidenti Pjetri premton mbështetje maksimale edhe ndaj këtij ekipi teksa në fund të prononcimit të tij do të thoshte: “Fitorja në ndeshjen e parë 4-0 ndaj Flabinës tregon se Ada B do të jetë jo thjesht një pjesmarrëse në kampionatin e kategorisë së tretë por do pretendojë deri në fund për ngjitjen një kategori më lart. Ato futbollistë që e përbëjnë atë ekip bashkë edhe me trajnerin Etrit Nika, kanë shumë dëshirë dhe ego për ta përfaqësuar denjësisht futbollin e Velipojës dhe kjo gjë do t’i ndihmojë ato për të qenë të suksesshëm në çdo ndeshje”.
Gjergj KOLA