Skuadra shkodrane ende nuk e ka zyrtarisht trajnerin e saj. Kjo ngaqë mungon firma dhe prezantimi para medias. Në pamje të parë, Vllaznia është ende pa trajner por në të vërtetë nuk është kështu. Shpëtim Duro tashmë e ka marrë Ok-in për të drejtuar këtë skuadër pavarësisht se ende nuk ka hedhur firmë, e zeza në të bardhë në kontratë. Një gje e tillë ishte planifikuar të ndodhte dje por kjo procedurë është shtyrë. Nuk dihen taman arsyet pse ka ndodhur kështu por duket se shtyrja ka të bëjë me axhendën e kryebashkiakut Lorenc Luka. Kjo ngaqë do jetë ai që do ta takojë Shpëtim Duron, do bisedojë gjerë e gjatë në lidhje me skuadrën dhe gjëra të tjera dhe më pas, do kalohet tek hedhja e firmës në kontratë dhe prezantimi para medias.
Nga sa merret vesh, mes tyre nuk ka patur asnjë kontakt, qoftë edhe telefonik sepse me dhënien e vendimit dhe gjithçka tjetër është marrë drejtori sportiv Armir Grima. Ajo që mungon është firma. Kjo duhej të ishte bërë tashmë sepse një shtyrje e tillë është e paarsyshme ngaqë që nga e hëna kur është vendosur caktimi I Shpëtim Duros si trajner I Vllaznisë, kanë kaluar katër ditë për të hedhur firmë në kontratë dhe për t’u prezantuar. Madje do të kalojnë edhe 2-3 ditë të tjera sepse firmosja e kontratës dhe prezantimi pritet të bëhen të hënën ose të martën e javës që vjen. Megjithatë, trajnerit kryeqytetas I është dhënë garancia e duhur se gjërat kanë marrë fund dhe kjo shtyrje nuk prish asnjë plan. Përkundrazi, ai tashmë ka marrë udhëzimet e para nga drejtuesit e klubit për skuadrën që do ndërtohet, cilët do jenë lojtarët që do vijnë dhe shumë gjëra të tjera. Në kampin shkodran nuk kanë shumë dëshirë të flasin se çfarë do bëhet. Ia lënë gjërat kohës duke pritur së pari prezantimin e trajnerit dhe firmosjen e kontratës prej tij. E ndërsa drejtuesit e klubit heshtin, vetë trajneri Duro nga Tirana ka preferuar që herëpashere të japë deklarata për mediat si trajner I Vllaznisë, ndonëse ende nuk ka shkelur në Shkodër dhe ende nuk ka hedhur firmë në kontratë. Në pamje të parë, kjo nuk është shumë normale megjithatë duket se trajneri në fjalë, ka preferuar të japë ndonjë mendim të parë në lidhje me skuadrën që drejton. Kuptohet që më mirë do ishte që ai të ndiqte rrugën e drejtuesve të klubit Vllaznia që kanë preferuar të mos flasin këtë periudhë. Sepse nuk ka folur akoma as kryebashkiaku- president Lorenc Luka. Ende ai, nuk ka bërë të ditur publikisht se çfarë skuadre do synojnë të ndërtojnë dhe sa do jenë fondet në dispozicion për ndërtimin e skuadrës. Pikërisht kjo mund të jetë çështja për t’u diskutuar- garancia financiare që do t’I jepet trajnerit të ri për të sjellë në skuadër lojtarët e duhur. Ndërkohë në pritje të zyrtarizimit të Duros në pankinën kuqeblu, në media kanë filluar të lakohen edhe emrat e parë të lojtarëve që mund të vijnë tek Vllaznia. Pikësynimi kryesor I drejtuesve të saj është rikthimi I malazezit Blazho Rajoviç ndërkohë që një tjetër mundësi është edhe rikthimi I sulmuesit ganez Xhejms Boadu. Nuk mungojnë ndërkohë as emra të tjerë megjithatë më konkretisht do flitet pas prezantimit të trajnerit. Proces që do bëhet të hënën ose të martën e javës që vjen.
Gjergj KOLA