Dukej se qielli i Shijakut do të ‘kthjellohej’ teksa një biznesmen kishte shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër klubin e Erzenit. Ali Kasa, biznesmen shqiptar i cili operon prej vitesh në Australi, pati një takim me shoqatën Erzeni dhe Bashkinë e Shijakut, madje takoi edhe tifozët në stadiumin ‘Tofik Jashari’ duke konfirmuar në njëfarë mënyre epokën e re të Erzenit.

Mirëpo, qielli u bë sërish u zymtë teksa më pas u raportua se kjo marrëveshje nuk u arrit. Ende nuk dihen arsyet por ajo që ka rëndësi është që e ardhmja e Erzeni mbetet sërish një enigmë. Ali Kasa nga ana tjetër nuk po qendron duarkryq.

Pasi nuk arriti të merrte Erzenin, biznesmeni ka vendosur të vihet në krye të Shkumbinit në Kategorinë e Dytë. Është vetë kryetari i Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, i cili njofton se ‘pas ditësh konsultime e bisedime konstruktive arritën të merrnin mbështetjen e z.Ali Kasa për një ecuri ndryshe të Shkumbinit.’

Postimi i Bukurosh Maçit në llogarinë e tij në Facebook:

Me këmbë të mbarë Shkumbini!

Sot kisha kënaqësinë që së bashku me deputetin Saimir Hasalla ti uronim mirëseardhjen dhe fillim të mbarë Shkumbinit të sezonit të ri 2023-2024.

Mbas ditësh konsultime e bisedime konstruktive arritëm të marrim mbështetjen e z.Ali Kasa për një ecuri ndryshe të Shkumbinit. Jo vetëm si Kryetar Bashkie por edhe si ish lojtar i këtij ekipi dëshiroj që ekipi i zemrës të kthehet në elitën e futbollit shqiptar!

Shpreh besimin e plotë dhe ndiej detyrim të falenderoj stafin, lojtarët si dhe drejtuesit e rinj të ekipit për një ndjenjë që duhet të rilindë.

Sot më mbetet të uroj “Me këmbë të mbarë Shkumbini ynë”!