Merkato e Vllaznisë në sezonin 2014-15 solli në Shkodër disa futbollistë nga Italia. Ardhja e GEA Sport në krye të klubit shkodran bëri që fokusi të ishte nga futbollistë përtej Adriatikut. Një nga emrat interesantë në atë periudhë ishte Sebastian Sosa, i cili vinte i huazuar nga ekipi i njohur i Palermos.

Por një tjetër po aq interesant dhe që priste të bënte një hap të madh në karrierë ishte edhe Mauro Cioffi. Shumë pak e kujtojnë në Shkodër, por djaloshi në atë periudhë ishte pjesë e Parmes dhe vinte i huazuar tek Vllaznia.

Eksperienca e tij në qytetin verior dhe kampionatin shqiptar ishte për tu harruar. Kjo pasi sulmuesi nuk zhvilloi më shumë se 6 ndeshje me kuqeblutë. Takime të gjitha këto të ardhura nga stoli.

Italiani u largua shpejt nga shkodranët, madje në pjesën e dytë të atij sezoni u aktivizua në Malin e Zi me ekipin e Berane. Gjithsesi karriera e tij nuk njohu kurrë rritje apo edhe një kulm pasi lojtari nga Roma luajti me ekipe shumë modeste në Itali si: Rocella, Bisceglie apo edhe Chieti.

Sot në moshën 27-vjeçare, Cioffi po luan në ekipin e Guidonia në Serie D të Italisë. Një karrierë nomade kjo e sulmuesit që në një periudhë të sajën e shikoi veten pjesë të Vllaznisë dhe kampionatit tonë të futbollit.
Endri ÇINARI